Tirana do të presë përsëri garën “Triathlon”, e cila bashkon notin, çiklizmin dhe vrapin në një aktivitet sportiv të përbashkët. Për mbarëvajtjen dhe organizimin e edicionit “Tiranathlon 2026”, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka hartuar një plan masash për lëvizjen e automjeteve gjatë zhvillimit të garës.
Ngjarja do të zhvillohet në parkun Helen pranë Liqenit të Farkës, më 27 shtator 2026, nga ora 08:00 deri në ora 13:00. Gjatë kësaj periudhe do të ketë kufizime të qarkullimit në segmente të caktuara rrugore, përfshirë: Rruga “Daxhit” (nga kryqëzimi me rrugën “Xhelal Molla” deri te kryqëzimi me rrugën e “Vrapëve”), duke përfshirë edhe rrugën “Dëshmorët e Helikopterëve”; Bulevardin Zhan D’Ark dhe Bulevardin Bajram Curri (segmenti nga ura Shkozë deri në kryqëzimin me rrugën “Selman Riza” dhe rrugën “Kastriot Feska”); rrugën interurbane kryesore TEG–Ura Shkozë; si dhe një segment të Unazës së Madhe të qytetit nga nyja e “Rrethrrotullimit të Freskut” deri TEG, ku devijimi i automjeteve do të bëhet për në rrugën e “Rrethrrotullimit të Freskut” me dalje për në rrugën “Xhanfize Keko”.
Itinerari i linjave urbane do të përshtatet përkohësisht: linja nr. 10/A “Marteniteti i Ri – Qendër – Ish Fusha e Aviacionit” do të devijohet te ura “Brrylit” përkohësisht, ndërsa linja nr. 10/C “Rrethrrotullimi Shkozë – Ish Fusha e Aviacionit” do të pezullohet përkohësisht. Qarkullimi i mjeteve të emergjencës dhe i Policisë së Shtetit do të vazhdojë normalisht në të gjithë itineraret e përmendura.
Zbatimi i urdhëresës është ngarkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Planifikimit, Investimeve dhe Monitorimit të Punëve Publike, Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik, Drejtorisë së Përgjithshme të Promovimit të Qytetit, Tirana Parking dhe Policisë Bashkiake, në bashkëpunim me Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore.

