Teherani ka paraqitur një propozim të ri ndaj Uashingtonit, duke lënë të hapur mundësinë e një pezullimi afatgjatë të programit të tij bërthamor. Sipas raporteve, negociatat vijojnë ndërsa palët diskutojnë hapa për zbutjen e tensioneve dhe përfundimin e konfliktit rajonal.
Presidenti amerikan Donald Trump rriti tonet paralajmëruese ndaj Iranit. Gjatë një takimi me ekipin e tij të sigurisë kombëtare në klubin e tij të golfit në Virxhinia, Trump deklaroi në rrjetin Truth Social se “Irani duhet të veprojë, koha po mbaron”. Në mbledhjen për diskutimin e hapave të ardhshëm lidhur me luftën dhe situatën rajonale morën pjesë sipas CNN zëvendëspresidenti J.D. Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio, drejtori i CIA-s John Ratcliffe dhe i dërguari special Steve Witkoff.
Agjencia Tasnim raporton se Irani ka paraqitur një propozim me 14 pika, i cili fokusohet në përfundimin e luftës dhe uljen e tensioneve. Sipas raporteve të Al Arabiya, të bazuara në burime jozyrtare, Teherani është i gatshëm të pranojë një ngrirje afatgjatë të programit bërthamor, por jo çmontimin e plotë të tij. Në këtë skenar, rreth 400 kilogramë uranium i pasuruar do të transferohej në Rusi dhe jo në Shtetet e Bashkuara. Propozimi përfshin gjithashtu një armëpushim në disa faza dhe hapje graduale të Ngushticës së Hormuzit, me rol garantues të Pakistanit dhe Omanit në rast përshkallëzimi.
Ndërkohë, autoritetet iraniane njoftuan krijimin e një strukture të re për administrimin e Ngushticës së Hormuzit, të quajtur Autoriteti i Ngushticës së Gjirit Persik. Bashkë me këtë masë, paralajmërohet vendosja e një tarife për anijet që kalojnë në këtë korridor jetik energjetik, një ndryshim i mundshëm në mënyrën e menaxhimit të lundrimit dhe të ardhurave për tranzitin detar.
Raportimet e ndryshme tregojnë se, ndërsa ekziston një hap drejt dialogut dhe propozimeve konkrete, mbetet e paqartë pranimi nga ana e palëve dhe mënyra e zbatimit të elementeve si transferimi i uraniumit, fazat e armëpushimit dhe garancitë ndërkombëtare për hapjen e Hormuzit.

