Nën duartrokitjet e të pranishmëve u përurua në qytetin e Kukësit “Monumenti i Sakrificës”, një vepër kushtuar gjeologëve, minatorëve, metalurgëve dhe punonjësve të energjetikës nga Kukësi, Hasi dhe Tropoja. Ceremonia përfshiu prerjen simbolike të shiritit dhe zbulimin e monumentit nga përfaqësues të institucioneve vendore, nismëtarët e projektit dhe përfaqësues të komunitetit, duke shënuar një moment përkujtimi dhe mirënjohjeje për ata që sakrifikuan jetën dhe mundin për zhvillimin industrial dhe ekonomik të qarkut të Kukësit.
Monumenti është realizuar me investimin kryesor të Kastrati Group. Zëvendëspresidenti Leonard Kastrati vlerësoi rëndësinë historike dhe njerëzore të veprës për gjithë rajonin dhe theksoi mbështetjen e familjes Kastrati për nismën përkujtimore. Ai u shpreh: “Për Familjen Kastrati është një nder i veçantë të mbështesë këtë nismë përkujtimore, sepse ne besojmë fort se zhvillimi dhe suksesi ndërtohen gjithmonë mbi punën dhe përkushtimin e njerëzve. Dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që kontribuan në këtë histori dhe për familjet që mbajnë ende sot peshën e mungesës së njerëzve të tyre të dashur.”
Për realizimin e projektit kontribuan dhjetëra bashkëpunëtorë, artistë dhe profesionistë të fushës, ndërsa përfaqësues të minatorëve, gjeologëve dhe energjetikëve përcollën mesazhe vlerësimi dhe emocioni. Ata e konsideruan monumentin një simbol respekti për brezat që me sakrifica kanë ndërtuar historinë industriale të vendit.
Ceremonia përfundoi me duartrokitje dhe një atmosferë artistike tradicionale, duke theksuar mesazhet e kujtimit, respektit dhe mirënjohjes për të gjithë ata që me punën dhe jetën e tyre kontribuan në zhvillimin e këtij rajoni dhe të Shqipërisë.

