Një pallat pranë spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë u përfshi nga flakët, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe duke lënduar disa efektivë zjarrfikës dhe qytetarë të cilët u asfiksuan. Drejtori i Përgjithshëm i MSZH-së, Arben Cara, theksoi se një problem tjetër shqetësues në Tiranë është ai urbanistik, ku shumë pallate nuk janë të aksesueshme nga të dyja anët për mjetet zjarrfikëse në raste emergjencash.
Në një intervistë në Top Story, Cara vlerësoi menaxhimin e zjarrin, duke theksuar se nuk pati asnjë viktimë. Ai shpjegoi se fasadat e ventiluara janë të rrezikshme, pasi ushqehen me oksigjen. Ai theksoi se çdo objekt duhet të jetë i aksesueshëm nga zjarrfikësit për të marrë lejen e ndërtimit. Cara përmendi se zjarri ishte i menjëhershëm dhe se helikopterët ndihmuan në uljen e temperaturave dhe intensitetit të tij.
Ai gjithashtu nënvizoi se shumë objekte janë ndërtuar pa leje, duke prekur standardet e rrugës dhe duke penguar ndërhyrjen e zjarrfikësve. Cara e cilësoi këtë si një problem urbanistik dhe shprehu nevojën për adresimin e këtyre çështjeve. Ai informoi se pallati në fjalë nuk dispononte sistem alarmi, ndërsa disa pallate të reja e kanë këtë sistem. Sipas tij, duhet të bëhet një inspektim për rastin e këtij pallati, ndërsa sistemi hidrik ka ekzistuar.















