Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) njofton se, pas një komunikimi ndërinstitucional me Akademinë e Sigurisë në Sauk për dyshim helmimi të disa kursantëve, ka kryer verifikime në subjektin SORI-AL, i cili ofron shërbimin e catering-ut pranë akademisë. Ushqimet rezultuan të ardhura të gatshme nga ambientet e garnizonit “Skënderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura Tiranë.
Kontrolli i ambientit të kuzhinës brenda Akademisë së Sigurisë konstatoi se subjekti ushtron aktivitet në kushte higjieno-sanitare të përshtatshme. Në momentin e inspektimit nuk po realizoheshin procese gatimi në këtë ambient, pasi produktet vinin të gatshme nga SORI-AL, prodhuar në kuzhinën e Garnizonit “Skënderbej”. Nga inspektimi u konstatuan pilaf, makarona, fasule, sallam dhe kos i hapur gati për shërbim; u bllokuan 85.9 kg produktesh dhe u morën mostra për analiza mikrobiologjike të dërguara në laboratorin e ISUV.
Për shkak të mungesës së një sistemi funksional dhe të plotë të gjurmueshmërisë, ndaj subjektit u vendos masa administrative me gjobë në vlerën 100,000 lekë.
Në vijim u krye kontroll edhe në ambientet e subjektit SORI-Al në adresën “Garnizoni Skënderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura. Gjatë këtij kontrolli u konstatuan se OBU nuk ishte në proces pune, pasi prodhimi kryhet në orare të caktuara, dhe nuk u gjend produkt i gatshëm për konsum, pasi produktet e prodhuara shpërndahen menjëherë tek pikat kontraktuese. Për marrjen e mostrave për inspektim u sekuestruan dhe dërguan për analizë mikrobiologjike në ISUV produkte si djathë i bardhë lope, kos lope, vezë dhe sallam. U bllokua gjendja prej 67.3 kg produktesh dhe 1,350 kokrra vezë, dhe ndaj subjektit u vendos sërish masa administrative me gjobë 100,000 lekë për mungesë të sistemit të plotë të gjurmueshmërisë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit deklaron se do të vijojë ndjekjen hap pas hapi të gjithë procesit dhe marrjen e masave në vijim me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore.

