Një “megatsunami” i fuqishëm në Alaskë është identifikuar si vala e dytë më e lartë e regjistruar në botë, me lartësi rreth 482 metra. Ngjarja ndodhi verën e kaluar në një fjord të izoluar në juglindje të Alaskës, por u zbulua vetëm pas analizave shkencore të mëvonshme. Sipas studiuesve, rreth 64 milionë metra kub shkëmb u shkëputën në më pak se një minutë dhe ranë në ujë, duke gjeneruar valën gjigante.
Shkencëtarët shpjegojnë se megatsunami të tilla krijohen kur rrëshqitje masive të dheut bien brenda masave ujorë, ndryshe nga cunamet klasike që formohen në oqeanin e hapur dhe mund të përhapen në distanca të mëdha. Në këtë rast, vala ishte lokale, por jashtëzakonisht e fuqishme. Studimi, i publikuar në revistën Science, lidh ngjarjen me shkrirjen e akullnajave, fenomen që hoqi një “mbështetje natyrore” e cila stabilizonte shkëmbin dhe mundi të ketë nxitur shembjen.
Gjeologu Bretwood Higman e përshkroi ngjarjen si një “gabim të madh natyror”, duke paralajmëruar se njerëzit mund të mos kenë gjithmonë fatin të shmangin zonat e rrezikshme. Të tjerë studiues theksojnë se fiordet e Alaskës janë veçanërisht të ekspozuara për shkak të terrenit të pjerrët dhe aktivitetit sizmik, që i bën të ndjeshme ndaj rrëshqitjeve dhe shembjeve të mëdha.
Shkencëtarët paralajmërojnë se ngjarje të tilla mund të bëhen më të shpeshta në të ardhmen për shkak të ndryshimeve klimatike dhe shkrirjes së akullnajave. Ata theksojnë nevojën për monitorim më të madh të zonave të rrezikuara, sidomos në rajonet turistike ku lundrimet janë të shpeshta, për të vlerësuar rreziqet dhe për të parandalur pasojat mbi njerëzit dhe infrastrukturën.
Megatsunami më i madh i regjistruar më parë ndodhi në vitin 1958 në Gjirin Lituya, ku vala arriti deri në 524 metra, duke mbetur ende rekordi botëror.

