Një gjykatë vendosi që kryetari i SK Group, Chae Tae-won, duhet t’i paguajë ish-bashkëshortes së tij, Roh So-yong, 944 miliardë won (rreth 644 milionë dollarë) si pjesë e ndarjes së pasurisë, por vendimi nuk është përfundimtar dhe mund të jetë objekt i procedurave të mëtejshme ligjore. Shuma e caktuar është më e ulët se vendimi i vitit 2024, kur një gjykatë kishte urdhëruar Chae të paguante 1.38 trilionë won.
Chae dhe Roh, vajza e ish-presidentit Roh Tae-woo, ishin të martuar për 35 vjet. Martesa u trondit më shumë se një dekadë më parë, pasi Chae pranoi se kishte një fëmijë me një grua tjetër, duke çuar në ndarjen e çiftit. Avokatët e kreut të SK Group thanë se klienti “ndjen keqardhje të thellë që procedurat e divorcit kanë shkaktuar shqetësim tek kaq shumë njerëz” dhe se do të japin një reagim më të detajuar pasi të shqyrtojnë arsyetimin e plotë të gjykatës.
Në thelb të mosmarrëveshjes ishte ndarja e pasurisë së përbashkët. Në vendimin fillestar të vitit 2024, pala e Roh argumentoi se ngritja e biznesit të Chae ishte ndihmuar ndjeshëm nga mbështetja financiare e babait të saj. Gjykata kishte vlerësuar se ish-presidenti kishte transferuar rreth 30 miliardë won nga një fond sekret politik te Chae në vitin 1991, duke e konsideruar këtë një element të rëndësishëm në krijimin e pasurisë së çiftit. Megjithatë, Gjykata e Lartë rrëzoi atë vendim, duke argumentuar se fondet ishin siguruar në mënyrë të paligjshme dhe nuk mund të përfshiheshin në llogaritjen e pronës së përbashkët.
SK Group vazhdon të jetë një nga konglomeratet më të fuqishme në Korenë e Jugut, i dyti më i madh pas Samsung, dhe ka shënuar rritje përmes investimeve në teknologji dhe inteligjencë artificiale. Dega e tij e gjysmëpërçuesve, SK Hynix, është një nga furnizuesit kryesorë të çipave të memories për procesorët e inteligjencës artificiale, duke përfituar nga kërkesa globale. Suksesi i kompanisë ka forcuar pozicionin e Chae; pak javë më parë, presidenti Lee Jae-myung e përgëdhi publisht për kontributin e tij në investimet strategjike në fushën e inteligjencës artificiale.

