Pas boom-it të investimeve në energjinë diellore në Europë ka dalë në pah një shqetësim të ri: varësia e kontinentit nga teknologjia kineze, që sipas ekspertëve mund të rrezikojë sigurinë energjetike dhe furnizimin me elektricitet. Komisioni Europian ka vendosur të ndalojë financimin e pajisjeve diellore të prodhuara në Kinë për shkak të shqetësimeve se këto teknologji mund të paraqesin rrezik për rrjetin elektroenergjetik evropian dhe të shkaktojnë ndërprerje të mëdha të energjisë.
Fokusi i ndalimit janë inverterët solarë — pajisje që konvertojnë energjinë diellore në energji të përdorshme dhe që shpesh janë të lidhur me internetin për mirëmbajtje ose përditësime nga distanca. Ekspertët paralajmërojnë se lidhjet e tilla mund të shfrytëzohen nga hakerë ose aktorë armiqësorë për të dëmtuar furnizimin me energji. Sipas të dhënave të grupit kërkimor Lum, gjatë vitit 2024 rreth 61 përqind e inverterëve të importuar në Europë vinin nga Kina.
Ekspertët e sigurisë theksojnë se kontrolli mbi vetëm 10 gigavat energjie të lidhur me këto inverterë do të mjaftonte për të shkaktuar çrregullime serioze në rrjetin europian. Për këtë arsye, Brukseli po ndjek një politikë më të ashpër ndaj importeve kineze që mund të rrezikojnë sigurinë ose industrinë evropiane.
Përpjekjet e BE-së për të zvogëluar varësinë përfshijnë masat për të mbështetur prodhimin vendor të teknologjive të gjelbra. Në mars, Komisioni Europian prezantoi Aktin për Përshpejtimin Industrial, i cili synon të mbështesë prodhimin evropian të baterive, automjeteve elektrike dhe teknologjive të tjera të gjelbra. Një pjesë tjetër e përgjigjes është rishikimi i Aktit të Sigurisë Kibernetike, me qëllim dhënien e kompetencave më të mëdha për të kufizuar pjesëmarrjen e kompanive kineze në infrastrukturën kritike.

