Gjashtë mbikalime për këmbësorët do të ndërtohen përgjatë kilometrave të parë të autostradës Tiranë–Durrës, si pjesë e punimeve pas përfundimit të zgjerimit të aksit rrugor. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur procedurat për realizimin e elementeve të tjera të projektit, me fokus përmirësimin e aksesit dhe sigurisë për banorët e zonës.
Këto mbikalime synohen t’u mundësojnë banorëve lëvizje më të lehtë dhe më të sigurt përmes pikave të dedikuara të kalimit. Procedura e tenderimit pritet të mbyllet më 15 qershor, dhe pas shpalljes së fituesit punimet do të nisin menjëherë. Përveç ndërtimit të gjashtë mbikalimeve, projekti përfshin instalimin e sistemit të ndriçimit, gjelbërimin e zonave përkatëse, vendosjen e barrierave akustike dhe ndërhyrje të tjera plotësuese.
Sipas projektit të ARRSH-së, vendndodhjet e mbikalimeve janë përcaktuar si më poshtë: i pari do të ndërtohet pas objektit të VEKO Group; i dyti rreth 50 metra pas Universitetit Polis, duke siguruar akses për banorët e zonës së Yrshekut; i treti pak metra pas QTU-së; i katërti në afërsi të BRUNES; i pesti rreth 100 metra përpara objektit të FedEx Albania; ndërsa i gjashti pranë Autostar.
Gjatë një inspektimi të punimeve për zgjerimin e autostradës, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, theksoi se garantimi i aksesit për banorët që jetojnë përgjatë këtij aksi rrugor është një nga komponentët kryesorë të projektit. Ai njoftoi se zbatimi pritet të nisë së shpejti në terren. Synimi i autoriteteve është që ndërhyrjet të përfundojnë dhe të jenë të aksesueshme nga qytetarët në muajin shtator, kur fillon viti i ri shkollor.

