Për herë të parë në Shqipëri po ndërtohet një gjuhë e vetme klinike për trajtimin e kancerit: 38 udhërrëfyes kombëtarë që do të kthehen në protokolle detyruese të zbatueshme në të gjitha spitalet bashkiake dhe rajonale, për të siguruar të njëjtin standard kujdesi për çdo pacient. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, gjatë inspektimit në Spitalin Bashkiak Librazhd dhe Pogradec, bëri me dije se udhërrëfyesit janë hartuar në bashkëpunim me Institutin e Tumoreve në Milano dhe synojnë që çdo vendim mjekësor të mbështetet në evidencën më të avancuar shkencore dhe në standardet europiane.
Ministrja vuri theksin te ndryshimi i qasjes: nga një sistem që reagon ndaj sëmundjes drejt një sistemi që e parandalon atë. Udhërrëfyesit e rinj vendosin në qendër parandalimin, depistimin dhe diagnostikimin e hershëm, me synimin që sëmundjet të zbulohen sa më herët, kur shanset për trajtim dhe shërim janë më të larta. Sala theksoi se lufta kundër kancerit zhvillohet edhe në komunitet, në qendrat shëndetësore, në programet e vaksinimit, në depistimin e hershëm dhe në edukimin shëndetësor, jo vetëm në sallat e operacionit apo në qendrat e kimioterapisë.
Reforma spitalore parashikon krijimin e një rrjeti të integruar kombëtar për kujdesin onkologjik, ku nga mjeku i familjes te spitali i rrethit, qendrat rajonale dhe QSUNT-ja, pacienti do të udhëhiqet nga sistemi përmes referimeve elektronike, protokolleve të qarta dhe koordinimit ndërmjet strukturave shëndetësore. Spitalet e Librazhdit, Pogradecit dhe të gjitha spitalet bashkiake dhe rajonale nuk do të jenë më vetëm hallka referimi drejt Tiranës; ato do të jenë pjesë aktive të rrjetit me role të qarta në parandalim, depistim, diagnostikim, ndjekje dhe kujdes paliativ.
Qëllimi i deklaruar është që qytetarët të marrin më shumë shërbime pranë vendbanimit të tyre, me të njëjtën siguri klinike dhe standarde profesionale që aplikohen në qendrat më të avancuara europiane.

