Raporti vjetor i Komisionit Europian vlerëson se gjyqësori është më i qëndrueshëm pas Reformës në Drejtësi, por evidenton vazhdimin e përpjekjeve për ndikim të padrejtë në institucionet e drejtësisë. Në raport përmenden sulme personale ndaj magjistratëve, përfshirë edhe ndaj Strukturës së Posaçme.
Raporti thekson se tetë magjistratë — dy gjyqtarë dhe gjashtë prokurorë — janë vendosur nën masë mbrojtjeje; ndër ta përfshihen prokurorë të SPAK dhe ish-kreu i KLP-së. Sipas dokumentit, përpjekjet e zyrtarëve publikë dhe politikanëve, përfshirë nivelet më të larta, për të ushtruar publikisht ndikim të padrejtë dhe sulme personale ndaj magjistratëve vazhduan gjatë gjithë periudhës së raportimit.
Si rast kryesor, raporti përmend pezullimin nga detyra të një zyrtari të nivelit të lartë, i urdhëruar nga Gjykata e SPAK-ut sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, si dhe kërkesën e SPAK-ut drejtuar Parlamentit për heqjen e imunitetit të këtij zyrtari. Veprimet çuan në reagime negative nga degët ekzekutive dhe legjislative, përfshirë sulme të drejtpërdrejta ndaj SPAK-ut dhe institucioneve gjyqësore. Organe të qeverisjes së gjyqësorit publikuan deklarata duke denoncuar presionin politik.
Raporti konstatohet gjithashtu mangësi në aksesin në drejtësi, me dobësi në ofrimin e ndihmës ligjore, infrastrukturën dhe sigurinë e gjykatave. Ndërsa korniza institucionale për parandalimin e korrupsionit është përmirësuar, koordinimi ndërmjet institucioneve dhe zbatimit të ligjit mbetet i dobët.
Vlerësohet se rreziqet e korrupsionit mbeten të përhapura në Policinë e Shtetit, në proceset e prokurimit publik dhe në sektorët me risk të lartë, për të cilët Shqipëria po kryen aktualisht vlerësime të riskut. Sa i përket procesit të vettingut, gjatë tij u shkarkuan 456 gjyqtarë e prokurorë, ndërsa u konfirmuan 348, që përbën rreth 43% të rasteve të kontrolluara.

