Ashtu si ishte paralajmëruar disa javë më parë, themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, dhe sipërmarrës të tjerë të njohur, mes të cilëve ish-themeluesi i Facebook, Eduardo Saverin, dhe familja Mittal, kanë blerë së bashku një kuotë në minorancë të aksioneve të Liverpool FC nga Fenway Sports Group (FSG), e cila mbetet aksionerja kryesore e klubit. Klubi konfirmoi zyrtarisht mbylljen e këtij transaksioni në një komunikatë.
FSG njoftoi se ka arritur marrëveshjen për shitjen e një kuote në minorancë të aksioneve te “1892 Holdin”, një konsorcium i drejtuar dhe i menaxhuar nga Amit Bhatia. Sipas komunikatës, investimet brenda këtij konsorciumi përfshijnë Amit Bhatia dhe Mittal Family Trusts, K5 Sports me Jeff Bezos si investitor kryesor në fondin K5 Sports, si dhe EE Capital. FSG thekson se investimi është strategjik dhe synon të mbështesë ambiciet për rritjen afatgjatë të Liverpool, duke bashkuar ekspertë nga sektorë globalë, teknologjie dhe investimesh. Konsorciumi do të punojë së bashku me FSG për të shqyrtuar mundësi që mbështesin objektivat e klubit brenda dhe jashtë fushës së lojës. FSG do të vazhdojë të mbajë shumicën e aksioneve dhe kontrollin operativ.
Pas arritjes së marrëveshjes, palët shprehën kënaqësi për bashkëpunimin e ri. Mike Gordon, president i FSG, theksoi se Liverpool është ndërtuar duke menduar përtej një sezoni të vetëm dhe se vendimet merren me interesat afatgjata të klubit. Ai vlerësoi se Amit Bhatia dhe konsorciumi ndajnë të njëjtën filozofi afatgjate dhe shprehu mirënjohje për atë që e bën special Liverpoolin, duke theksuar se përvoja dhe perspektiva e tyre do të plotësojnë bazën tashmë të ndërtuar.
Amit Bhatia, si lider i konsorciumit “1892 Holdings”, shprehu respekt dhe admirim për FSG dhe për realizimet e klubit në Anfield. Ai deklaroi se janë krenarë të investojnë te Liverpool FC, e quajti privilegj të jenë partnerë të klubit dhe shtoi se po bëjnë këtë investim për shkak të besimit në Liverpool dhe udhëheqjen e tij, duke pritur që të mbështesin suksesin e vazhdueshëm të klubit në vitet në vijim.

