Rreth 60 mijë persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në pjesë të shtetit të Uashingtonit, pasi zjarret e mëdha pyjore kanë përfshirë rajonin përreth qytetit Spokane. Flakët kanë shkatërruar rreth 600 ndërtesa, kanë lënë më shumë se 10 mijë konsumatorë pa energji elektrike dhe vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit, ndërsa autoritetet kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Tre zjarre të mëdha vazhduan të digjen pranë Spokane të hënën. Kryetarja e bashkisë, Lisa Brown, e përshkroi situatën si “katastrofën më të keqe natyrore që ka përjetuar rajoni”, duke bërë të ditur se ekipet po vlerësojnë dëmet dhe nuk përjashtohet mundësia e humbjes së jetëve; megjithatë, deri më tani nuk janë konfirmuar viktima apo të lënduar.
Sipas Departamentit të Burimeve Natyrore të shtetit, zjarret në Spokane janë pjesë e më shumë se një duzine vatrash aktive në të gjithë Uashingtonin, përfshirë 10 zjarre të mëdha. Shërbimi Kombëtar i Motit kishte paralajmëruar gjatë fundjavës për kushte “jashtëzakonisht kritike” për përhapjen e zjarreve, për shkak të erërave të forta dhe motit shumë të thatë, që kanë favorizuar avancimin e shpejtë të flakëve. Pamjet nga Spokane tregojnë re të dendura tymi dhe zjarre pranë zonave të banuara, ndërsa helikopterët dhe ekipet zjarrfikëse vazhdojnë operacionet për vënien nën kontroll të situatës.
Përveç dëmeve materiale, më shumë se 10 mijë klientë të kompanisë Avista Utilities kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike. Guvernatori i shtetit të Uashingtonit, Bob Ferguson, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë shtetin dhe ka kërkuar ndihmë federale pas një bisede me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Kryetarja e bashkisë bëri thirrje që banorët të qëndrojnë vigjilentë dhe të respektojnë urdhrat për evakuim, duke theksuar nevojën për mbështetje shtesë për strehim dhe furnizime bazë për personat e zhvendosur.

