Bashkia Pukë urdhëroi evakuimin e menjëhershëm të banorëve të fshatit Gojan i Madh, Njësia Administrative Gjegjan, për shkak të përhapjes së një zjarri masiv dhe rrezikut të drejtpërdrejtë për jetën dhe pronën. Urdhri, me karakter urgjent dhe në fuqi menjëherë, është firmosur nga kryetari i Bashkisë Pukë, Rrok Dodaj, dhe bazohet në Ligjin Nr. 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”, Planin Kombëtar të Emergjencave Civile dhe Planin Vendor të Emergjencave Civile të Bashkisë Pukë.
Evakuimi do të realizohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefekturën e Qarkut Shkodër, strukturat e emergjencave civile të Bashkisë Pukë, Policinë e Shtetit (Komisariatin e Policisë Pukë) dhe Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH Pukë). Për transport mund të përdoren mjetet logjistike të Bashkisë Pukë, MZSH Pukë, Policia e Shtetit dhe, nëse kërkohet, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Nenkuptohet që Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin e bashkisë dhe komunikimi për ndihmë duhet t’u drejtohet autoriteteve publike në terren dhe Shtabit të Emergjencave Civile.
Prioritet në procesin e evakuimit do t’u jepet fëmijëve dhe foshnjave, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike, personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve që ndodhen në zona të izoluara ose me rrezikshmëri të lartë nga flakët. Të gjithë të evakuuarit do të akomodohen në Konviktin “Ali Bytyçi” në Pukë, ku janë përgatitur ambiente për strehim, ushqim dhe shërbim mjekësor.
Banorët do të regjistrohen në momentin e mbërritjes dhe do t’u sigurohen nevojat bazë, përfshirë ushqimin, veshmbathjen, higjienën dhe ndihmën e parë/mjekësore. Menaxhimi i strehimit dhe asistenca do të realizohen nga Bashkia Pukë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Njësinë e Kujdesit Shëndetësor Pukë dhe Spitalin Rajonal, Kryqin e Kuq Shqiptar dhe organizatat partnere të ndihmës humanitare. Banorët do të informohen periodikisht për situatën e zjarrit dhe masat në vijim për kthimin e sigurt në banesa.

