Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) njoftoi se po ndjek me prioritet rastin e shtetasit shqiptar Erkan Nika, 28-vjeçarit i zhdukur pas sulmit me dron ndaj anijes M/V AROYAT pranë Novorossiysk-ut, në Detin e Zi. Zëdhënësi i MEPJ i tha Top Channel se veprimet po bëhen në bashkërendim të ngushtë me përfaqësitë diplomatike dhe konsullore në Moskë, Ankara dhe Stamboll. Që kur u njoftua për rastin, strukturat konsullore dhe diplomatike shqiptare në disa vende janë angazhuar për sigurimin e informacionit zyrtar dhe koordinimin me autoritetet përkatëse.
Familjarët e Erkan Nikës, që jetojnë në Stamboll, i kanë bërë njoftimin Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë më 28 shtator 2026. Pas marrjes së njoftimit, MEPJ nisi mbledhjen e informacionit dhe dokumentacionit të disponueshëm dhe komunikimin me institucionet kompetente. Sipas zëdhënësit, kërkesat e adresuara te Ministria e Punëve të Jashtme e Federatës Ruse, strukturat në Rrethin e Krasnodarit, autoritetet kufitare, portuale dhe ekipet e kërkim-shpëtimit nuk kanë dhënë rezultat.
Autoritetet ruse kanë përcjellë se pjesa tjetër e ekuipazhit u evakua me helikopter, ndërsa Erkan Nika nuk u gjet në bord gjatë operacionit. Bazuar në dëshmitë e administruara nga autoritetet kompetente, ekziston dyshimi se ai mund të ketë rënë në det si pasojë e valës goditëse të shpërthimit, por kërkimet e kryera deri atëherë nuk dhanë rezultat. Më 1 tetor 2026, Ministria e Punëve të Jashtme e Federatës Ruse konfirmoi zyrtarisht se Erkan Nika rezultonte i zhdukur pas goditjes së anijes nga mjete ajrore pa pilot dhe se kërkimet gjatë evakuimit nuk kishin sjellë rezultate, ndërsa vijonin procedurat e verifikimit dhe mbledhjes së informacionit.
Babai, Rexh Nika, i kërkoi institucioneve shqiptare dhe autoriteteve rreth Detit të Zi të kontrollojnë regjistrat e spitaleve, institucionet shëndetësore, policinë dhe institucionet përkatëse për pacientë të paidentifikuar, persona të plagosur ose individë të gjetur në zonat bregdetare. Familja jeton në Turqi që nga 1997, ndërsa Erkan punonte si inxhinier i dytë në anijen AROYAT. Anija kishte nisur nga porti i Durrësit me 16 anëtarë ekuipazhi; 15 u shpëtuan, ndërsa Erkan rezulton i vetmi i zhdukur. Sipas babait, mesazhi i fundit nga i biri ishte më 25 shtator, ku ai shkruante se ishin në Detin e Zi. MEPJ deklaroi se familjarët po mbahen të informuar dhe se do të vazhdojë të kërkojë çdo informacion të verifikuar për zbardhjen e fatit të shtetasit dhe për t’i njoftuar familjen për çdo zhvillim zyrtar.

