Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shqyrton mundësinë e zgjerimit të votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet vendore të vitit 2027, me synim aplikimin e tij në disa bashki të mëdha të vendit. Në një shkresë drejtuar partive politike, KQZ njofton se në kuadër të përgatitjeve dhe modernizimit të proceseve zgjedhore po vlerësohet shtrirja e teknologjisë së votimit elektronik në një numër të caktuar njësish të qeverisjes vendore.
Sipas KQZ-së, duke marrë parasysh aspektet teknike, logjistike dhe administrative, si dhe nevojën që procesi të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme dhe në kohë, shtrirja e votimit dhe numërimit elektronik në 3 ose 4 bashki të mëdha konsiderohet një qasje e arsyeshme dhe proporcionale. Megjithatë, institucioni thekson se çdo vendimmarrje për zgjerimin e këtij procesi duhet të mbështetet në një qëndrim të qartë dhe të konsoliduar të partive politike.
Për këtë arsye, KQZ kërkon që partitë politike të shprehin qëndrimin e tyre lidhur me mundësinë e zhvillimit të votimit dhe numërimit elektronik në disa bashki të mëdha gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Para se të paraqesin qëndrimin zyrtar, KQZ kërkon që partitë të caktojnë përfaqësuesit e tyre për një takim konsultues në ambientet e Komisionit.
Takimi konsultues është planifikuar të zhvillohet të premten, më 9 tetor 2026, në orën 11:30. KQZ u ka kërkuar partive të konfirmojnë pjesëmarrjen e përfaqësuesve të tyre përmes adresës zyrtare të postës elektronike të institucionit. Konsultimi bëhet si pjesë e përgatitjeve të hershme për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Vendimi përfundimtar mbi shtrirjen e votimit dhe numërimit elektronik do të lidhet me vlerësimin teknik dhe administrativ të procesit, si dhe me qëndrimet e partive politike të shprehura në konsultim. Top Channel.

