Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Taulant Balla dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku morën pjesë në një takim me banorët e rajonit Nr.4 në Lushnjë, ku prezantuan kandidaten e PS për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit në Bashkinë e Lushnjes, Eriselda Sefa.
Në fjalën e tij, Balla u shpreh se gjatë periudhës që Eriselda ka drejtuar Bashkinë e Lushnjës, shumë problematika të trashëguara filluan të marrin një drejtim tjetër.
“Eriselda për mua personalisht është një surprizë e bukur, por njëkohësisht ishte një konfirmim i asaj që Edi Rama thotë shpesh, “nëse do të bësh punë lërja grave” dhe e vërteta është që në 6 muaj të drejtimit të bashkisë nga Eriselda shumë problematika të trashëguara në bashki filluan të marrin një drejtim tjetër. U rrit transparenca, u shtuan projektet e reja që bashkia realizonte për të kërkuar financim tek ministria që drejton Belinda, tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit apo shumë agjenci dhe ministri të tjera zhvillimi në Shqipëri”, tha Balla.
Ai deklaroi se është i kënaqur që për një kohë të shkurtër jo vetëm që janë përgatitur projektet, siguruar financimi i tyre, por është hyrë edhe në një faze të re të transformimit të Lushnjës.
“Gjëja e parë, të cilën edhe ministria do t’jua konfirmojë, ne kemi folur pa ditur që do të vinte kjo fushatë ne kemi biseduar me ministren dhe me kryeministrin që një prej projekteve që ne presim ta financojmë në Bashkinë Lushnjë është projekti i madh i unazës, të cilin duam ta shndërrojmë në një rrugë tregtare, e cila do të sigurojë shumë vende pune, por rruga tregtare duhet të ketë trotuare, vijëzime, një rrugë me standarde që të mbrojë këmbësorin por të dhe të drejtat e automjeteve. Ndaj për të gjitha këto ju jap fjalën që do të sigurojmë financimin e Unazës së Lushnjes e cila është një gangrenë e vjetër por që koha për ta ndryshuar ka ardhur tani dhe këtë nuk e lidh me zgjedhjet e 6-marsit por me nevojën e zhvillimit të bashkisë së 7 më të madhe në Republikë. Për ata që nuk e dinë Lushnja është një ndër bashkitë më të mëdha në Republikë dhe si e tillë pa një unazë të qenësishme si ajo që duam të ndërtojmë do jetë e pamundur të justifikojmë besimin”, tha Balla.
Me qytetarët e Lushnjës, ai solli në kujtesë edhe një porosi të Gramoz Ruçit.
“Miku im, Gramoz Ruçi, më ka mësuar një rregull që unë kam filluar ta zbatojë çdo ditë, ngjiti shkallët një nga një sepse po i more me vrap do rrëzohesh dhe e vërteta është që Eriselda i ka ngjitur shkallët një nga një duke i përvetësuar dijet në administratën e qeverisjes vendore por më shumë se kaq duke fituar besimin e atyre që janë donatorët e huaj. Është shansi që i kemi të dyja këtu për të kuptuar sesa e rëndësishme është që në 6-Mars ta bëjmë bashkë bashkinë me qeverinë. Imagjinoni sikur në 6-mars ne të mos e marrim seriozisht dhe në 7 mars të ngrihemi me një kryetar bashkie, një nga ata o i Lulit o i Saliut dhe Ilir Metës dhe që qeveria nuk mund të punojë me ta sikurse nuk gjetëm dot mënyrën për të punuar me Voltana Ademin në Shkodër. Duke mos u zgjatur shumë mbi projektet si edhe të lagjes suaj, që do ta quaja arterien kryesore, por kemi biseduar edhe për sheshet brenda lagjeve, rrugicat brenda lagjeve të cilat nuk janë në gjendjen që do kisha dashur ti gjeja në Lushnjë. Që ditën e parë që kam ardhur në Lushnjë do kisha dashur të gjeja më shumë punë të kryera por këto kanë qenë mundësitë tona deri tani por besoj dhe e di që ditët dhe muaj në vijim do të na gjejnë me më shumë punë,” u shpreh Balla në fjalën e tij.
Ndërsa ministrja Balluku gjatë fjalës së saj garantoi mbështetje për disa projekte të mëdha infrastrukturore që do të nisin këtë vit në qytet dhe disa fshatra në Bashkinë Lushnjë.
“Ne nuk kemi reshtur në asnjë moment duke ngritur kantiere ndërtimi duke investuar në shërbimet bazike, ato që prekin çdo qytetar, kështu që Lushnja do të ketë mbështetje maksimale nga qeveria, këtë e kam mandat të kryeministrit jua them është një nga zonat më prioritare për ne. Muajin tjetër fillon gara për ndërtimin e “Korridorit Blu”, dhe një nga segmentet më të rëndësishme të këtij korridori i përket nga Rrogozhina në Lushnjë për tu lidhur më pas me bypass-in e Fierit. I gjithë ky projekt do të sjell një ndryshim shumë të madh përgjatë autostradës pasi autostrada ekzistuese do të kthehet në një autostradë të kategorisë A, pra një autostradë e shpejtësisë së madhe dhe të ndërtohen rrugët paralele me të, të cilat do të jenë në shërbim të qytetarëve të vendit. Kudo ku kjo autostradë kalon duke u nisur nga Tirana dhe deri ne bypass-in e Fierit dhe për më tepër kjo do të na detyrojë ne që të futemi dhe në zonat e brendshme duke bërë unazën dhe gjithçka tjetër që do të lidh qyetetin e Lushnjës me autostradën. Për sa tha Taulanti, për projektet e huaja, kjo është një zonë e cila ka përfituar projekte shumë të rëndësishme nga KFW dhe çdo organizatë financiare të tjera të huaja që mbështesin Shqipërinë. Dhe e dini çfarë, ato para janë aty për të gjitha bashkitë dhe nëse në Bashkinë Lushnje ato kanë ardhur kjo tregon se aty ka qenë një staf i aftë i cili ka aplikuar siç duhet dhe e ka ndjekur siç duhet dhe kjo është diçka që Eriseldës duhet t’ja njohim dhe duhet t’i japim mundësinë që të vazhdojë në të ardhmen të ketë këtë lloj atributi dhe të vazhdojë të kontribuojë në qyet”, u shpreh Balluku.