Një ditë pas reflektimeve të kryeministrit Edi Rama mbi protestat në Tiranë, Top Channel siguron dokumentin strategjik “BESA” që qeveria parashikon ta përdorë si besëlidhjen e re të mandatit të katërt. Projekti i Zvërnecit, që ishte zanafilla e protestave, do të jetë testi i parë i këtij dokumenti, i konceptuar si udhërrëfyes që synon të matë çdo politikë, reformë dhe vendim të qeverisë.
Sipas planit, brenda një afati 90-ditor do të zhvillohen dëgjesa në terren me banorë, studiues, shkencëtarë dhe grupet që protestuan, me qëllim marrjen e një vendimi për të ardhmen e projektit. “Brenda këtij afati përfundojnë dëgjesa, hapja e dokumentacionit të publikueshëm, vlerësimi paraprak dhe vendimi i arsyetuar për hapat pasues. Detyrimet që kërkojnë më shumë kohë regjistrohen me afate publike, institucione përgjegjëse dhe raportim të vazhdueshëm në Flamingo Mirror”, shpjegohet në dokument.
Dokumenti thekson se testi nuk fillon me paragjykime nëse projekti duhet të vazhdojë apo të ndalet, duke lënë të hapura alternativat: “vazhdimi me garanci, korrigjimi, kushtëzimi, rikonceptimi ose ndalimi, sipas asaj që lejojnë ligji, kontratat dhe provat.” Po ashtu, bëhet e qartë se asnjë hap i Metodës BESA nuk pezullon kompetencat ligjore, procedurat administrative, detyrimet kontraktore ose kontrollin gjyqësor.
Plani “BESA” synon një transformim të thellë të qeverisjes dhe zhvillimit, me fokus tek qytetari. Dokumenti përshkruan një “kthesë” nga logjika e ndërtimit drejt “kulturës së kujdesit”: nga investimi si ngjarje, te përkujdesja si standard; nga miratimi i një ligji, te përvoja e përditshme e qytetarit lidhur me ligjshmërinë. Synohet një shtet i drejtë me administratë që respekton afatet, shërbim publik që sillet me dinjitet, institucione që pranojnë gabimin dhe garantojnë reagimin, dhe një qeveri që ndan vendimmarrjen me publikun.
Në përfundim të procesit do të bëhet një analizë e qasjes para qershorit, kur nisën protestat, për të nxjerrë mësime, duke shtuar se kjo analizë “nuk pengon përgjegjësinë administrative, kontraktore ose ligjore aty ku ajo provohet”. Të gjitha elementet do të publikohen në ndërfaqen “Flamingo Mirror” (pasqyra e Flamingove), që do të përdoret për dosjet me interes të lartë publik.

