Pamjet e siguruara nga Top Channel tregojnë momentin kur policia shpëton 24-vjeçaren Rozalinda Plaka, e cila ishte marrë peng nga 35-vjeçari Nertil (Refit) Buzi, pasi ai kishte vrarë prindërit e saj me armë gjahu brenda banesës. Në video duket efekti vi, i cili ndodhej nën mbiqyrjen e snajperistëve të RENEA-s, duke i ardhur pranë dhe duke e marrë në krahë. Pasi autori e la të lirë, Rozalinda del nga makina e zbathur, ndërsa nga automjeti i hedhën atletat e saj.
Ngjarja ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit të së enjtes, kur 35-vjeçari Refit Buzi, i njohur gjithashtu si Nertil Buzi, hyri i armatosur me një armë gjahu në banesën e familjes Plaka. Në atë moment, bashkëshortët Kosta (Arben) dhe Belerie Plaka po përgatiteshin për t’u nisur për në punë. Sipas materialit, autori hapi zjarr menjëherë ndaj çiftit: Kosta Plaka humbi jetën në vend, ndërsa bashkëshortja e tij, Belerie Plaka, u plagos rëndë. Ajo u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit dhe i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale që zgjati më shumë se pesë orë, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Pas krimit, 35-vjeçari mori me forcë 24-vjeçaren, me të cilën kishte pasur një lidhje prej nëntë vitesh, dhe u largua nga pjesa e pasme e banesës. Më pas ai u drejtua drejt fshatit Kurjan, ku pas disa orësh ndjekjeje nga forcat e policisë e la të renë të lirë dhe pa lëndime. Operacioni për kapjen e autorit vijoi për disa orë; negociatat me efektivët e Policisë së Shtetit zgjatën rreth shtatë orë, por ai refuzoi të dorëzohej. Në përfundim të aksionit, 35-vjeçari i dha fund jetës duke kryer vetëvrasje. Top Channel.

