Autoritetet ruse njoftuan për një nga sulmet më të mëdha me dronë që nga fillimi i luftës, duke akuzuar Ukrainën për një sulm “të paprecedent” ndaj rajonit të Shën Petersburgut, ndërsa qyteti prisnte ditën e fundit të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Rusisë. Sipas guvernatorit të rajonit të Leningradit, Aleksandr Drozdenko, mbi 140 dronë ukrainas u rrëzuan mbi rajonin përreth Shën Petersburgut. Sulmet shkaktuan zjarr në një objekt ushtarak dhe dëme të vogla materiale, ndërsa disa banorë u evakuuan për arsye sigurie.
Për herë të parë që nga fillimi i konfliktit, guvernatori i Shën Petersburgut, Alexander Beglov, i bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë brenda banesave. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi operacionin, duke thënë se forcat ukrainase goditën depo armësh dhe një bazë detare ruse në Kronstadt, qendra kryesore e Flotës Baltike. Sipas tij, dronët ukrainas përshkuan rreth 1,000 kilometra për të arritur objektivat në afërsi të Shën Petersburgut. Ai njoftoi gjithashtu se një depo nafte në rajonin jugor të Krasnodarit, rreth 500 kilometra larg kufirit ukrainas, u godit si pjesë e asaj që e quajti “sanksione me rreze të gjatë veprimi” ndaj Rusisë.
Sulmet u zhvilluan një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin refuzoi propozimin e Zelenskyt për një takim të drejtpërdrejt me qëllim arritjen e një armëpushimi dhe përfundimin e luftës. Gjatë fjalimit në Forumin Ekonomik të Shën Petersburgut, Putin tha se nuk sheh arsye për t’u takuar dhe përsëriti qëndrimin e Moskës se një armëpushim do t’i jepte Ukrainës kohë për t’u rigrupuar ushtarakisht. Nga ana e tij, Zelensky theksoi se ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës dhe akuzoi Kremlinin se dëshiron vazhdimin e konfliktit.
Një komandant i njësive ukrainase të përfshira në operacion deklaroi për BBC se goditja e objektivave brenda territorit rus është bërë më e lehtë. Yevhen Karas, komandant i Regjimentit 413 të Forcave të Sistemeve Pa Pilot të Ukrainës, tha: “Ne fluturojmë në Rusi sikur të ishte territori ynë. Ka shumë pak rezistencë dhe objektivat arrihen lehtësisht”. Autoritetet e instaluara nga Rusia në rajonin e pushtuar të Luhanskut njoftuan pezullimin e transportit në disa autostrada dhe linja hekurudhore pas sulmeve të vazhdueshme ukrainase ndaj logjistikës ushtarake ruse. Që prej fillimit të pushtimit rus në vitin 2022, Ukraina ka zhvilluar ndjeshëm kapacitetet e saj në fushën e dronëve, duke qenë në gjendje të godasë rregullisht objektiva strategjikë qindra kilometra brenda territorit rus.

