Shqipëria zhvillon sot një ndeshje miqësore kundër Luksemburgut në stadiumin “Air Albania”, më datë 06.06.2026, në orën 20:00. Policia e Shtetit ka bërë të ditur planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes, dhe ka njoftuar kufizime të përkohshme të qarkullimit të mjeteve në afërsi të stadiumit. Kufizimet do të vlejnë nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes; hyrja në stadium nis në orën 18:00.
Mes akseve që do të bllokohen është bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ku pritet të zhvillohet një protestë. Para ndeshjes së Shqipërisë me Izraelin pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, dhe Policia ka bërë të ditur se do të zbatojë masat e planifikuara edhe për këtë takim.
Rrugët që do të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes përfshijnë:
– Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga hoteli “Rogner” në drejtim të sheshit “Nënë Tereza”;
– Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;
– Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
– Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
– Rruga “Themistokli Gërmenji”, në fillim të rrugës;
– Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;
– Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, që do të shërbejë si korridor hyrës për në parkimin e caktuar vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja;
– Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;
– Te sheshi “Willson”, ku lëvizja do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”, pak para përfundimit të ndeshjes.
Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të mbeten të lira për qarkullimin e mjeteve.
Policia njofton se do të kryejë kontrolle të imtësishme ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për të parandaluar futjen e banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të telefonave celularë, mjeteve dhe produkteve kozmetike, si dhe sendeve të tjera të forta që mund të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve. Policia e Shtetit ka angazhuar një numër të konsiderueshëm punonjësish për zbatimin e këtij plani. Top Channel.

