Ish-fituesi i Topit të Artë, Kaká, pranoi se përvoja e tij te Real Madrid nuk përmbushi pritshmëritë pas transferimit nga AC Milan në 2009, duke u shprehur me autokritikë në një bisedë me Rio Ferdinand. Ai tha se emri i tij renditet shpesh mes transferimeve më zhgënjyese të klubit dhe shtoi se, “Erdha nga Milani si lojtari më i mirë në botë. Nëse sot kërkon transferimet më të dobëta të Real Madridit, aty do të jem unë bashkë me Hazardin.”
Braziliani identifikoi dëmtimet e shpeshta dhe konkurrencën e brendshme si arsyet kryesore të dështimit të pritshëm. Nën drejtimin e José Mourinho, Kaká përmendi se trajneri preferonte lojtarë të tjerë si Özil, Di María, Benzema dhe Cristiano Ronaldo, dhe se të gjithë luftonin për vende të pakta në formacion, prandaj trajneri zgjidhte ata që mendonte më të përshtatshëm.
Kaká rrëfeu se gjatë atij periudhe kaloi një krizë identiteti, duke u pyetur nëse ishte ende lojtari më i mirë në botë apo një nga transferimet më të dështuara të klubit. Ai deklaroi se gjeti identitetin në besimin e tij fetar: “Nuk isha as më i miri në botë dhe as një nga transferimet më të këqija. Identitetin tim e gjeta te besimi. Zoti ishte me mua si kur fitoja, ashtu edhe kur gjërat nuk shkonin mirë.”
Pavarësisht vështirësive, Kaká mbajti kujtime pozitive nga koha te Real Madrid dhe falënderoi presidentin Florentino Pérez për mbështetjen gjatë largimit. Ai zbuloi se Pérez i tha se, megjithëse gjërat nuk shkuan siç pritej, ishte krenar që ai kishte luajtur për klubin dhe e vlerësoi për profesionalizmin dhe respektin ndaj institucioneve të ekipit.
Në intervistë, Kaká foli edhe për bashkëlojtarët e tij: Ronaldo Nazário e cilësoi si futbollistin më të talentuar me të cilin ka luajtur ndonjëherë, ndërsa vlerësoi Cristiano Ronaldo për profesionalizmin dhe etjen e tij për të thyer rekorde. Ai komentoi dhe talentin e ri spanjoll Lamine Yamal, duke thënë se e kujton Neymarin dhe se është një nga ata lojtarë që të bëjnë të ulesh para televizorit për të parë “çfarë magjie mund të krijojnë në fushë.”

