Grupi hetimor i ngritur nga Policia e Tiranës konkludon se 50-vjeçari Edmond Sula dyshohet të jetë qëlluar me sniper nga një distancë më shumë se 70 metrash. Policia rindërtoi skenën e ngjarjes dhe arriti në përfundimin se autorët ishin pozicionuar në një zonë me bimësi përballë banesës së viktimës, ku dyshohet se e pritën dhe më pas e qëlluan me një plumb që rezultoi fatal. Nga mënyra e përdorur të paktën në këtë fazë, hetuesit konsiderojnë të mundshme që të jetë një vrasje e porositur.
Në vendngjarje provat ishin të pakta, prandaj policia po zgjeron hetimet duke verifikuar aktivitetet dhe konfliktet që mund ta lidhin viktimën me autorët. Sula merrej me shitblerje tokash në zonë, aktivitet që, sipas hetimeve dhe referimeve të familjarëve, herë pas here i shkaktonte mosmarrëveshje. Ai po ashtu pati konflikte me banorët e zonës, por policia vlerëson se ato nuk përbëjnë një pistë të fortë në hetim.
Dosja e tij penale tregon se Sula është proceduar 28 herë për vepra të ndryshme. Në gusht të vitit 2019 ai u arrestua për moskallëzim krimi, pasi dyshohej se kishte pasur dijeni për vrasjen e 26-vjeçarit Indrit Çela, ngjarje që lidhej me kohën kur ai po montonte kondicionerët në ndërtesën e vëllezërve Griseldo dhe Albano Kusi.
Hetimet po shtrihen edhe në drejtim të kontaktit të tij me persona me precedent të theksuar kriminal dhe grupime kriminale në zonë. Po ashtu, policia ka kërkuar përgjigje edhe nga Interpoli, duke marrë parasysh dyshimet se viktima mund të ketë qenë i përfshirë në trafikun e drogës.
Hetuesit po përpunojnë informacionet dhe verifikimet nga pista të ndryshme, ndërsa konkluzionet përfundimtare ende nuk janë dhënë publikisht. Burimi i lajmit: Top Channel.

