Kapiteni i Spanjës, Rodri, foli me superlativa për 19-vjeçarin Lamine Yamal në prag të gjysmëfinales së Kupës së Botës 2026, duke nxjerrë në pah cilësitë teknike dhe sjelljen brenda grupit. Mesfushori i Manchester City-t dhe fituesi i “Topit të Artë” u shpreh se i jep shpesh këshilla Yamalit gjatë ndeshjeve dhe vlerësoi mënyrën si ai i pranon kritikat. “Një nga cilësitë e tij më të mëdha, përveç pjekurisë së jashtëzakonshme, është se dëgjon gjithmonë atë që i thuhet. Është shumë ambicioz dhe mendon se mund të përmirësohet vazhdimisht,” tha Rodri.
Ai theksoi se pavarësisht talentit të jashtëzakonshëm, Yamal mbetet ende një 19-vjeçar dhe duhet të punojë në menaxhimin e ankthit për të treguar vazhdimisht vlerat e tij. Rodri rekomandoi që Yamal të ruajë qetësinë në momentet e vështira të ndeshjeve, duke përmendur sjelljen e tij tipike si sulmues krahu: “Është një sulmues krahu klasik, kërkon gjithmonë të fitojë duelet një kundër një. Kur nuk i del driblimi ose mendon se arbitri nuk i ka dhënë një faull, ndonjëherë ndalet. Pikërisht aty i them të mos dorëzohet dhe të vazhdojë të provojë. Ai dëgjon dhe ka një dëshirë të madhe për të mësuar.”
Rodri vuri në dukje edhe intelektin dhe rëndësinë e Yamal për ekipin, me dhe pa topin, por shtoi se ai mund të përmirësohet në leximin e momenteve të ndeshjes. “Duhet të qetësojë pak ankthin që ka për të treguar gjithmonë vlerat e tij. Është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, me dhe pa topin, dhe është jashtëzakonisht inteligjent. Mund të përmirësohet edhe më shumë në leximin e momenteve të ndeshjes, por niveli i tij është tashmë i dukshëm për të gjithë,” tha Rodri.
Ai bëri një krahasim me vetën në të njëjtën moshë, duke përmendur se në 19 vjeç kishte një rrugë krejtësisht tjetër dhe se fakti që Yamal feston 19-vjetorin para një gjysmëfinale Botërori është “diçka e pabesueshme.” Duke folur për përballjen me Francën, Rodri e cilësoi kundërshtarin si “skuadrën më të kompletuar” të turneut, me potencial të jashtëzakonshëm në sulm dhe forcë në mbrojtje, dhe priti një ndeshje të ekuilibruar dhe me pak hapësira. Objektivi i Spanjës, sipas tij, është të kontrollojë topin dhe ritmin e lojës.

