Si rezultat i administrimit të shpejtë të kallëzimeve të qytetarëve, finalizohen tre operacione për zbardhjen e vjedhjeve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 finalizuan operacionin e koduar “Navigator”, gjatë të cilit u arrestuan shtetasit F. K., 51 vjeç, dhe D. M., 37 vjeç. Ata dyshohen se janë autorë të vjedhjes së disa motoçikletave, biçikletave dhe monopatinave në zona të ndryshme të kryeqytetit. Si provë materiale u sekuestruan 6 biçikleta, 2 monopatina dhe 1 motoçikletë, të dyshuara të vjedhura.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 finalizuan operacionin e koduar “October”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi K. K., 26 vjeç. Ai dyshohet se i ka vjedhur me dhunë varësen nga qafa një shtetaseje në rrugën “Konferenca e Pezës”. Nga hetimet dyshohet gjithashtu se i arrestuari ka kryer një tjetër vjedhje me dhunë në të njëjtën zonë më datë 02.10.2026.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, finalizuan operacionin e koduar “Kilometrazhi”. Gjatë këtij operacioni u vu në pranga shtetasi Y. A., 38 vjeç, i cili dyshohet se ka vjedhur një automjet në Rinas. Automjeti u lokalizua në Durrës dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Vijojnë hetimet për të zbardhur dhe dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të këtyre shtetasve në fushën e vjedhjeve. Materialet procedurale u referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

