Banorët e Orikumit dhe Dukatit denoncojnë se prej ditësh banesat dhe bizneset po bëhen objekt i grabitjeve, ndërsa autorët veprojnë të maskuar dhe kryesisht në orët e natës. Një nga rastet më të rënda ndodhi më 16 shtator në Dukat, kur persona të paidentifikuar hynë në një banesë ndërsa brenda ndodheshin banorë, morën sende me vlerë dhe më pas edhe automjetin. Më 1 tetor u raportua një tjetër rast në Orikum, ku autorët vodhën një dyqan cigaresh. Banorët thonë se ka edhe vjedhje më të vogla në Dukat, ndërsa denoncime për vjedhje banesash kanë mbërritur edhe nga fshati Kaninë, por për këto raste nuk ka të dhëna të plota se sa banesa janë prekur apo çfarë është marrë.
Sipas banorëve, prej gati 10 ditësh një grup personash po lëviz në zonë dhe po kryen vjedhje në banesa dhe biznese. Ata deklarojnë se kanë denoncuar rastet në polici, por vjedhjet vazhdojnë: “Jemi të terrorizuar. I kemi denoncuar rastet në polici, por vjedhjet vazhdojnë”. Banorët thonë se autorët përfitojnë edhe nga ndërprerjet e energjisë elektrike, duke vepruar në errësirë dhe duke hyrë në banesa apo biznese pa u vënë re.
Nga vjedhjet, sipas tyre, nuk kursehet asgjë: elektroshtëpiake, ushqime, vegla pune, para, bagëti, por edhe automjete. Pamjet e kamerave të sigurisë kanë fiksuar persona të maskuar, dhe materialet filmike i janë vënë në dispozicion edhe policisë. Frika më e madhe e banorëve nuk lidhet vetëm me dëmet materiale, por edhe me mundësinë e një përballjeje të drejtpërdrejtë me autorët, veçanërisht pasi në disa raste në banesa ka pasur njerëz.
Në këtë fazë mbetet për t’u verifikuar nga policia nëse rastet e denoncuara janë të lidhura me njëri‑tjetrin dhe nëse bëhet fjalë për të njëjtin grup autorësh. (Top Channel)

