Misteri rrethon vizitën e Drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë, pas mbërritjes me një fluturim të aeroplanit transporti të Forcave Ajrore Amerikane mëngjesin e sotëm. Nuk është zbuluar publikisht me kë është takuar Ratcliffe dhe çfarë është diskutuar; i vetmi konfirmim zyrtar nga Kremlini është se ai nuk është takuar me Vladimir Putin. “Nuk janë planifikuar takime me Putinin,” tha zëdhënësi presidencial Dmitry Peskov për agjencinë ruse TASS. Peskov, po ashtu për Washington Post, e përshkroi vizitën si të lidhur me “kontaktet midis shërbimeve të sigurisë”, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Vizita e Ratcliffe ishte udhëtimi i tij i parë zyrtar i njohur në Rusi. Ai mban kontakte me homologun rus Sergei Naryshkin, kreun e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme (SVR), i cili më parë kishte shprehur gatishmërinë për të takuar shefin e CIA-s. Një zyrtar amerikan konfirmoi për Kyiv Independent se Ratcliffe do të takohej me zyrtarë të lartë rusë, por përmbajtja e bisedimeve mbetet e paqartë.
Palës ukrainase i ishte njoftuar se një delegacion amerikan do të shkonte në Rusi, por fillimisht nuk ishte informuar se Ratcliffe do të ishte pjesë e tij, sipas një burimi të njohur me çështjen. Zyrtarët ukrainas pritet të informohen për rezultatet e vizitës, megjithëse nuk është e qartë nëse Ratcliffe do të udhëtojë në Kiev për t’i brief-uar ata. Sipas Axios, Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Ukrainës të mos kryejë sulme në Moskë ose Shën Petersburg ndërsa Ratcliffe ndodhet në Rusi.
Vizita vjen në një kohë kur Uashingtoni dhe Moska kanë rritur lidhjet dypalëshe nën administratën e Presidentit Donald Trump, i cili mori detyrën në janar 2025 dhe premtoi të negociojë një përfundim të luftës së Rusisë në Ukrainë. Megjithatë, negociatat e paqes kanë ngecur, pasi Rusia dhe Ukraina nuk bien dakord për çështjet territoriale. Përfaqësuesit e Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, kanë kryer vizita të përsëritura në Moskë, por udhëtimet e tyre të planifikuara në Ukrainë u shtynë; një burim tha se shtyrja nuk ishte për shkak të përshkallëzimit ushtarak, por për shkak të vendimit të Trump që t’i mbante të dërguarit afër për shkak të bllokimit me Iranin. Megjithatë, kanalet diplomatike mes Uashingtonit dhe Moskës kanë qëndruar të hapura dhe ndihmuan në arritjen e marrëveshjes më 11 gusht për lirimin e ish-marinsit amerikan Robert Gilman, i burgosur në Rusi për katër vjet.

