Franca dhe Spanja përballen me zjarre të jashtëzakonshme, të përshkruara si më të rëndat në historinë e tyre, dhe kanë kërkuar ndihmën e Bashkimit Evropian. Autoritetet raportojnë se mbi 130 mijë persona janë evakuuar në të dyja vendet.
Në Francë, Ministri i Brendshëm Laurent Nunez tha se 110 mijë njerëz janë larguar nga zonat jugperëndimore, ndërsa zjarret kanë djegur mbi 14 mijë hektarë tokë. “Nuk kemi parë kurrë një zjarr të kësaj madhësie”, deklaroi ministri, duke njoftuar gjithashtu se rreth 50 zjarrfikës u plagosën gjatë të premtes në përpjekjet për të ndaluar përhapjen e flakëve. Autoritetet përshkruan situatën si të paprecedentë dhe paralajmëruan se zjarret po shpërndahen drejt lindjes, duke rrezikuar zonën metropolitane të Bordeaux; aeroporti i qytetit është mbyllur. I gjithë gadishulli Cap Ferret, i njohur si destinacion pushimesh, është evakuuar pas alarmeve emergjente të dërguara te turistët.
Në Spanjë, po përjetojnë po ashtu një krizë të rëndë: mbi 25 mijë persona janë evakuuar dhe më shumë se 20 mijë ndodhen në izolim. Autoritetet spanjolle thanë se po bëjnë çdo përpjekje për të parandaluar bashkimin e zjarrit në Avila me ato pranë Madridit, ndërsa e përshkruan situatën si komplekse dhe paralajmëroi vazhdim të evakuimeve në zonat e prekura. Pasditen e të premtes, dy zjarre në perëndim të Madridit u bashkuan, duke përkeqësuar gjendjen në kryeqytet.
Të dy vendet vazhdojnë operacionet e shpëtimit dhe evakuimit ndërsa flakët përhapen në rajone të ndryshme. Autoritetet lokale dhe ekipet e emergjencës raportojnë dëme të mëdha territoriale dhe janë përqendruar në shpëtimin e banorëve dhe parandalimin e përhapjes së zjarreve drejt zonave të banuara.

