Akseleratori Linear i tretë është vënë në funksion të plotë në shërbimin Onkologjik të QSUNT, ku është trajtuar me sukses pacienti i parë. Investimi synon rritjen e kapaciteteve të Njësisë së Radioterapisë dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit për pacientët onkologjikë përmes aplikimit të teknologjive moderne dhe teknikave me precizion të lartë. Në të njëjtën kohë vijon puna për sjelljen e brankiterapisë dhe të Akseleratorit të katërt Linear.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prof. Evis Sala, gjatë inspektimit në Spitalin Onkologjik në QSUNT deklaroi se akseleratori i ri dhe implementimi i moduleve bashkëkohore rrisin kapacitetet e shërbimit në Njësinë e Radioterapisë, ndërsa aplikimi i teknikave të reja realizon ndërhyrje me precizion të lartë dhe trajtime më efikase për pacientët. Ajo theksoi gjithashtu vazhdimin e programit të investimeve për modernizimin e shërbimit onkologjik dhe zgjerimin e mëtejshëm të kapaciteteve trajtuese në vend.
Ministrja vlerësoi bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për mbështetjen me pajisje moderne dhe për forcimin e kapaciteteve profesionale përmes trajnimit të stafit mjekësor dhe fizikantëve. Sipas saj, programi për përmirësimin e shërbimit onkologjik po përparon me upgrade të dy akseleratorëve aktualë, ardhjen e brankiterapisë dhe buxhetimin për Akseleratorin e katërt Linear.
Gjatë inspektimit u vizituan edhe dhomat e kimioterapisë ditore, ku u vërejt se pacientët marrin shërbim në ambiente komode dhe sipas fashave orare të përcaktuara, duke lehtësuar menaxhimin e fluksit dhe përmirësuar organizimin e shërbimit. Aktualisht, në Njësinë e Radioterapisë me dy akseleratorë trajtohen rreth 140 pacientë në ditë; me shtimin e akseleratorit të tretë, numri i trajtimeve pritet të arrijë në rreth 200 pacientë në ditë.

