Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar një kërkesë zyrtare në Gjykatën Administrative për lejen e transmetimit live të seancave gjyqësore. Në kërkesë ai argumenton se parimi i transparencës së gjykimit duhet të garantohet në mënyrë reale dhe efektive, duke lejuar ndjekjen e drejtpërdrejtë të seancave nga publiku. Sipas tij, kufizimet aktuale që vijnë nga ndjekja fizike e seancave nuk plotësojnë standardin e transparencës që kërkon ligji.
Veliaj sjell si shembull praktikën e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila transmeton në mënyrë të drejtpërdrejtë seancat publike, dhe propozon që kjo praktikë të shërbejë si model për gjitha gjykatat e tjera. Ai thekson se transmetimi live është i pajtueshëm me solemnitetin dhe zhvillimin normal të procesit gjyqësor dhe se mund të realizohet pa cenuar procedurat.
Në kërkesën e tij, Veliaj argumenton se transmetimi i drejtpërdrejtë përbën edhe një detyrim ndaj publikut dhe ndaj atyre që e kanë votuar atë tri herë rresht, për t’u mundësuar qytetarëve të ndjekin në kohë reale çdo fakt dhe të vërtetë lidhur me çështjet në fjalë. Ai nënvizon se për shkak të funksionit të tij publik dhe interesit të lartë që mbart çështja, si dhe numrit të madh të personave të interesuar, zbatimi i një standardi më të kufizuar nga gjykatat e tjera do të cenonte të drejtën e publikut për ndjekjen e zhvillimeve të çështjeve.
Veliaj paralajmëron se kufizime të tilla do të dëmtonin besimin e publikut dhe do të komprometonin qëllimet e proceseve gjyqësore, duke i vënë në rrezik transparencën dhe aksesin e qytetarëve në drejtësi. Kërkesa i është paraqitur formalisht Gjykatës Administrative në përpjekje për të rregulluar dhe unifikuar praktikën e transmetimit të seancave gjyqësore në përputhje me standardet që ai sjell si referencë. Top Channel















