Për 14 ditë ekipet e mjekësisë ligjore dhe ekspertët po kryejnë gërmime në disa lokacione në Zubin Potok të identifikuara si varreza masive. Rreth 17 kilometra larg qytetit, në një zonë malore, po vazhdojnë gërmimet nën dyshimet për varrezë masive në Kalludër të Vogël. Në këtë lokacion janë konfirmuar gjetje të mbetjeve mortore, ndërsa autoritetet kanë identifikuar edhe lokacione të tjera, përfshirë fshatin Jabukë dhe një vend pranë Kalludrës së Vogël.
Autoritetet ende nuk kanë identifikuar zyrtarisht viktimat, por dyshimet janë se ato mund t’i përkasin grupit të 23 intelektualëve të Mitrovicës të zhdukur në vitin 1999. Familjarët kanë shprehur shpresë se mund të kenë një vend varrimi ku t’i qajnë të afërmit, por Lutfije Ademi–Vokshi, e cila prej vitesh kërkon vëllain e saj doktor Adem Ademin, thotë se pritja është shumë e rëndë. “Janë shumë të rënda këto pritjet e kohëve të fundit derisa zyrtarisht të kuptohet se kush do të gjendet e kush jo. Unë jam e bindur që aty është grupi i vëllait tim. Është grupi i 23 intelektualëve të Mitrovicës”, shprehet Ademi Vokshi.
Ademi Vokshi, që udhëheq organizatën joqeveritare “Ndriçimi i Jetës” dhe merret me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, ka deklaruar se në Kalludër të Vogël janë zhvarrosur deri tani mbetjet mortore të 11 viktimave. Ajo shton se në Jabukë janë gjetur katër mbetje mortore, duke e çuar totalin e të zhvarrosurve deri tani në 15. Konfirmimin për zhvarrimin e katër viktimave në Jabukë e ka bërë Komisioni Qeveritar për personat e zhdukur.
Lidhur me rastin, në Zubin Potok janë arrestuar tre persona nën dyshimet për krime lufte. Autoritetet vazhdojnë punën e ekspertizës dhe hetimeve për identifikimin e viktimave dhe për zbardhjen e rrethanave të gjetjes së mbetjeve mortore.

