Ishte bashkëlojtarë te Brescia në një nga periudhat më të veçanta të karrierës së Igli Tares, por marrëdhënia me Roberto Baggion shtrihej përtej fushës së futbollit. Në vitin 2001, teksa Tare luante në Serie A me Breshian, ai fliste me respekt për lidhjen që kishte krijuar me një nga ikonat e futbollit italian: “Marrëdhëniet me Robin janë marrëdhënie normale, domethënë marrëdhënie miqësore”, rrëfente Tare në një intervistë të asaj kohe.
Miqësia mes tyre u pasurua edhe nga afërsia familjare. Tare dhe Baggio jetonin në të njëjtën rezidencë, dhe Tare kishte krijuar një marrëdhënie të ngushtë me familjen e yllit italian. Nga kjo afërsi vjen një detaj personal: vajza e Roberto Baggios kishte një lepur të vogël të cilit i kishte vendosur emrin Igli, në nder të futbollistit shqiptar që ishte pjesë e rrethit të tyre familjar. Ky episod u paraqit si shenjë e afërsisë mes dy familjeve gjatë kohës që ndodheshin në Brescia.
Marrëdhënia mes dy futbollistëve nuk u ndërpre me largimin nga klubi. Tare deklaron se edhe 25 vite më vonë kontakti me Baggion ka vazhduar. Në vitin 2001, vetë Baggio pati folur publikisht për Taren, duke vlerësuar punën dhe përkushtimin e tij dhe duke theksuar se Tare e kishte merituar vlerësimin që kishte marrë.
Kjo miqësi, që nisi në Brescia dhe vazhdoi përtej fushës së lojës, përbën një nga lidhjet e veçanta të karrierës italiane të Igli Tares. Pamje dhe rrëfe të lidhura me këtë periudhë janë rikthyer 25 vjet më vonë në dokumentarin “Exclusive” të gazetarit Endi Tufa, me titullin “Igli Tare – Të shkruash historinë”.

