Valon Bela, i shpallur “non grata” nga Ministria e Brendshme për veprime në dëm të Shqipërisë, ka reaguar për vendimin me një postim publik. Ai falënderon miqtë dhe dashamirët për informacionin dhe mbështetjen, dhe e quan vendimin një akt administrativ që nuk mund të shpallë “non grata” historinë, sakrificën dhe kontributin e një shqiptari. Bela thekson se dinjiteti i një luftëtari nuk matet me të drejtën për të hyrë në një shtet, por me veprën e lënë pas dhe me respektin që gëzon në popull.
Në reagim ai nënvizon se nëse një luftëtar i tri luftërave kombëtare shqiptare shpallet i padëshiruar në shtetin shqiptar, pyetja shtrihet mbi mesazhin që i jepet kujtesës kombëtare. Sipas tij, shqiptarët historikisht nuk janë ndarë në “brenda” dhe “jashtë” kufirit shtetëror kur kanë qenë në lojë idealet kombëtare, dhe ata që sakrifikuan për lirinë dhe dinjitetin nuk duhet të gjykohen vetëm me vendime administrative, veçanërisht kur, sipas tij, mungon transparenca dhe shpjegim publik i qartë.
Bela shton se asnjë qeveri nuk është mbi kombin dhe asnjë mandat politik nuk është i përjetshëm; qeveritë vijnë e shkojnë, ndërsa historia mbetet, dhe vendimmarrësit përjashtues do të gjykohen nga bashkëkohësit dhe brezat e ardhshëm për mbrojtjen e interesit kombëtar. Në reagim ai akuzon qeverinë se fyen rëndë Kosovën, pret me tepih të kuq Vuçiqin dhe malltreton e rreh brutalisht popullin që mendon ndryshe. Ai përmend se dinjiteti i luftëtarëve vlerësohet nga populli dhe kundërshton që qeveria aktuale, sipas tij, gëzon respekt vetëm nga “foshnjëvrasësit”. Bela përfundon duke theksuar se vendimi i Ramës e Vuçiqit për ta futur në listën e padëshiruar “flet shumë”.
Ministria e Brendshme ka shpallur “non grata” edhe dy shtetas të tjerë për veprimtari të dyshimta ndaj shtetit shqiptar. Burime të gazetares Anila Hoxha thonë se vendimi u mor pas propozimit të njësisë antiterror në Policinë e Shtetit; konfirmimi vjen nga Ministria, e cila ka shpallur të padëshiruar Valon Beljan/Valjon Bela dhe Bekir Halimin, të dy me shtetësi të Maqedonisë së Veriut.

