Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 16 shtetas pas veprimeve hetimore dhe procedurale lidhur me bllokimin e rrugëve në kryeqytet gjatë një tubimi të zhvilluar ditët e fundit, mes të cilëve janë edhe tre nismëtarët e identifikuar Arben Kola, Luçiana Kokaj dhe Arilda Lleshi. Në njoftimin zyrtar theksohet se personat e proceduar dyshohen për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” si dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
Mes emrave të përmendur janë Ernest Kapo, Aurel Kujtimi, Tomas Kroja, Mateo Yskollari, Xhonatan Dobrozi, Sergo Tafa, Ilir Xhemalaj, Ergi Qoku, Ervis Krepi, Ali Dizdari, Sokol Gjoka dhe Emir Lecini. Gjithashtu, policia ka shpallur në kërkim shtetasit Eduart Qema dhe Markel Capo. Hetimet paraprake dyshojnë se këta persona kanë nxitur pjesëmarrësit me thirrje që të vijojnë tubimin përtej orarit të përcaktuar nga organizatorët, i cili kishte qenë nga ora 18:00 deri në 22:00, si dhe të mos respektojnë perimetrin e njoftuar për zhvillimin e protestës.
Sipas njoftimit, si pasojë e veprimeve të dyshuara është shkaktuar bllokim i qarkullimit të automjeteve dhe vështirësi në lëvizjen e qytetarëve në disa akse të Tiranës. Në disa raste, pjesëmarrësit në tubim kanë hyrë në zonën e “Fan Zone” në sheshin “Skënderbej”, e përshtatur për aktivitete sportive, duke prishur qetësinë publike dhe duke bërë thirrje për bashkim me tubimin. Policia e Tiranës njofton se vijon punën për identifikimin dhe procedimin e personave të tjerë përgjegjës dhe se materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi shton se dy ditë më parë, sipas të njëjtave burime, ishin referuar materiale dhe ishte nisur procedimi penal edhe për 19 shtetas të tjerë lidhur me ngjarje të lidhura me tubime e bllokime në kryeqytet.

