Rritja vjetore e turistëve ishte 17,075 persona, por në krahasim me një muaj më parë u regjistrua vetëm një rritje prej 1.3% për qershorin 2025, duke treguar një zbehje të fluksit gjatë muajve të parë të kulmit të sezonit turistik. Kryetari i Unionit Turistik, Rrahman Kasa, tha se pati anulime nga disa shtete, përfshirë Serbinë dhe Gjermaninë, si dhe nga vende të tjera evropiane që janë tregje kryesore.
Sipas Ministrisë së Turizmit, hyrjet nga Kosova ranë me rreth 52,000 persona krahasuar me qershorin e vitit të kaluar. Edhe Maqedonia e Veriut ka shënuar rënie, me 15,223 vizitorë më pak; Gjermania me 13,165 më pak; Turqia me 11,062 më pak; dhe Mali i Zi me 6,212 vizitorë më pak. Nga të dhënat e Ministrisë rezulton se Evropa Jugore kontribuon me 66% të hyrjeve nga Evropa, ndërsa Evropa Qendrore dhe Lindore përbëjnë 14% të hyrjeve evropiane.
Hyrjet e shtetasve të huaj në territorin shqiptar në 98% të rasteve janë për qëllime personale. Hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale ranë edhe më tej në muajin qershor. Agjentja turistike Florinda Zani vuri në dukje se “turistët besnikë vijojnë të frekuentojnë Shqipërinë, duke preferuar në këto muaj të vitit më së shumti bregdetin, por ka dhe nga ata që zgjedhin malet si Thethi, që mbetet i preferuar”.
Ministria e Turizmit deklaroi se perceptimi për sigurinë në Shqipëri ndikoi në turizëm. Sipas institucionit, protestat, tensioni publik dhe imazhi negativ i transmetuar jashtë vendit kanë ndikuar në vendimmarrjen e turistëve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Këto faktorë, së bashku me anulimet dhe tkurrjen e hyrjeve nga disa tregje kryesore, shpjegojnë pjesërisht shkallën e uljes së vizitorëve gjatë qershorit krahasuar me vitin e kaluar.

