Administrata e Donald Trump po përballet me polemika të reja, pasi zyrtarë të lartë amerikanë dyshohet se kanë ushtruar presion ndaj Byrosë së Gdhendjes dhe Shtypjes së parave (BEP) për të hartuar një kartëmonedhë prej 250 dollarësh me portretin e presidentit. Sipas Washington Post, iniciativa është diskutuar që prej vitit 2025 nga dy të emëruar politikë në Departamentin e Thesarit, Brandon Beach dhe këshilltari i tij Mike Brown, të cilët i kanë kërkuar vazhdimisht stafit të institucionit të përgatisë modele të reja të kartëmonedhës.
Mediat raportojnë se një nga maketet e propozuara paraqiste fytyrën e Donald Trump në qendër të kartëmonedhës 250-dollarëshe, mes firmave të presidentit dhe Sekretarit të Thesarit Scott Bessent. Artisti britanik Iain Alexander, i cili pretendon se ka realizuar dizajnin, deklaroi se kishte diskutuar personalisht me Trump për projektin dhe se presidenti kishte sugjeruar ndryshime në elementët grafikë, përfshirë ngjyrat e flamurit dhe logon për 250-vjetorin e themelimit të SHBA-së.
Iniciativa ka hasur pengesa ligjore: ligji federal ndalon shfaqjen e personave të gjallë në monedhën apo kartëmonedhat amerikane që prej vitit 1866. Sipas ekspertëve të politikës monetare, për realizimin e një kartëmonedhe të tillë do të nevojitej një akt i posaçëm i Kongresit. Zyrtarë të BEP u kanë bërë të qartë përfaqësuesve të administratës se procesi për krijimin e një kartëmonedhe të re mund të zgjasë nga gjashtë deri në tetë vjet, sidomos për prerje të larta që kërkojnë masa të avancuara sigurie kundër falsifikimit.
Drejtoresha e byrosë, Patricia Solimene, u transferua nga posti i saj në muajin prill, në një lëvizje që sipas raportimeve nuk ishte zgjedhja e saj; në mesazhin e lamtumirës ajo shkroi se largohej me “zemër të rëndë” pa dhënë arsye konkrete për transferimin. Administrata Trump konfirmoi gjithashtu se po shtypen kartëmonedha 100-dollarëshe me firmën e presidentit. Shtytja për kartëmonedhën e re lidhet me planet për festimet e 250-vjetorit të themelimit të Shteteve të Bashkuara, dhe me propozime të tjera të Trump, si ndërtimi i një harku triumfi dhe një “Kopshti Heronjsh” në Uashington me 250 statuja historike.

