Gati tri javë pas zbulimit të një droni detar të ngarkuar me lëndë shpërthyese pranë brigjeve të Lefkadës, Greqia ka ndërmarrë një hap diplomatik ndaj Ukrainës. Ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, njoftoi në konferencë për korrespodentët e huaj se Athina i ka dorëzuar Kievit të premten e kaluar një notë proteste, si me shkrim, ashtu edhe gojarisht, përmes ambasadës ukrainase në Athinë dhe drejtpërdrejt Ministrisë së Jashtme të Ukrainës.
Droni detar u zbulua nga një peshkatar më 7 maj në një shpellë detare pranë Kepit Dukato në ishullin e Lefkadës. Një ditë më vonë, mjeti u transportua për ekzaminim nga autoritetet greke dhe më pas u krye neutralizimi i lëndëve shpërthyese që ndodheshin në të. Autoritetet greke vlerësuan se droni paraqiste një rrezik serioz për sigurinë e lundrimit në Mesdhe dhe në notën e protestës theksojnë se ai mund të kishte shkaktuar viktima në njerëz dhe dëme të pallogaritshme mjedisore.
Athina argumenton gjithashtu se zhvendosja e operacioneve ushtarake nga zona e konfliktit drejt Mesdheut krijon rreziqe për sigurinë kombëtare të Greqisë dhe mund të ketë pasoja edhe për ekonominë e vendit. Për rezultatet e hetimit, ministri Gerapetritis tha se ka informuar Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, si dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Çështja u ngrit edhe gjatë takimit që ai zhvilloi me homologun ukrainas në Limasol të Qipros.
Në dokumentin diplomatik, Athina nënvizon se e drejta e Ukrainës për vetëmbrojtje nuk mund të justifikojë veprime të tilla dhe i kërkon Kievit të shmangë në të ardhmen operacione që mund të transferojnë pasojat e luftës në Mesdhe. Deri tani, sipas lajmit, nuk ka pasur ende një përgjigje zyrtare nga autoritetet ukrainase për incidentin.

