Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë u caktua masa e sigurimit “Arrest me burg” për shtetasin I.K., i akuzuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentative, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Hetimet për procedimin penal nr.66/2026 nisën pas ngjarjes së datës 05.02.2026, kur në orët e para të mëngjesit në makinën e shtetasit Mirash Gjikolaj, e parkuar në oborrin e banesës së tij, u vendos një sasi lënde shpërthyese (dinamit). Prokuroria, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, kreu veprime proaktive hetimore që çuan në identifikimin dhe vënien nën masë sigurimi “arrest në burg” të dy personave të tjerë të dyshuar si autorë, G.T. dhe Xh.B.
Në vijim të hetimeve për identifikimin e autorëve të tjerë që kanë marrë pjesë në kryerjen e veprave penale për të cilat është regjistruar procedimi penal nr.66/2026, me datë 01.06.2026 u ndalua shtetasi I.K. Si pjesë e zbatimit të urdhërit të Prokurorit për ndalimin e të dyshuarit, në banesën e I.K. u gjet, ndër të tjera, një armë zjarri pistoletë, modeli TT.
Prokuroria dhe policia po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë autorëve të mundshëm. Nga njoftimi rezulton se veprimet hetimore kanë përfshirë veprime proaktive dhe bashkëpunim ndërmjet prokurorisë dhe strukturave policore vendore, ndërkohë që për momentin janë bërë publike arrestimet e dy të dyshuarve G.T. dhe Xh.B, si dhe ndalimi i I.K., për të cilin është caktuar masa e sigurimit “Arrest me burg”. Investigimet vazhdojnë për sqarimin e detajeve të ngjarjes dhe kontributit të çdo personi të përfshirë.

