Sot në Samadrexhë të Vushtrrisë nderohet Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra tre vjet më parë gjatë sulmit terrorist në Banjska, ndërsa ishte në krye të detyrës. Krerët shtetëror dhe Policia e Kosovës do të vizitojnë familjen e Bunjakut, do të mbajnë homazhe dhe do të vendosin gurthemelin e obeliskut në vendin ku ai ra gjatë kryerjes së detyrës.
Sulmi terrorist në Banjska u udhëhoq nga Milan Radojiçiq dhe kishte si qëllim aneksimin e pjesës veriore të Kosovës. Tre vjet pas ngjarjes, tre prej pjesëtarëve të grupit të armatosur po gjykohen për veprën penale të terrorizmit. Ndërkohë, 42 persona të tjerë, përfshirë edhe Milan Radojiçiqin, mbeten të arratisur, kryesisht në shtetin e Serbisë.
Në përkujtim të rënies së Afrim Bunjakut, ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka kërkuar nga Serbia që grupi, përfshirë edhe Milan Radojiçiqin, të mbahen përgjegjës.

