Gara për Prokurorin e ri të Përgjithshëm shkaktoi përplasje të forta në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ku mbledhja përfundoi pa vendim pas një serie kërkesash për përjashtime mes anëtarëve. Një kërkesë e kandidatit Ylli Pjetërnikaj, depozituar më 30 korrik, kërkonte përjashtimin e anëtarit Vatë Staka me arsyetimin e konfliktit të interesit, por KLP ende nuk e kishte shqyrtuar atë. Gjatë mbledhjes Staka kërkoi nga ana e tij përjashtimin e anëtarit Zeqir Hodo nga shqyrtimi i kërkesës së Pjetërnikajt.
Staka argumentoi se Hodo kishte pasur komunikime me Pjetërnikajn edhe pasi ky i fundit ishte larguar nga pozicioni i këshilltarit pranë KLP-së, dhe se Pjetërnikaj i kishte dërguar Hodos në një email privat draftin e një rregulloreje të Këshillit. Hodo kërkoi kohë për t’u shprehur mbi kërkesën e Stakës, duke kërkuar gjithashtu që kërkesa e Pjetërnikajt të lexohej e plotë në mbledhje dhe të bëhej e ditur për publikun.
Debati u përshkallëzua kur anëtari Sokol Stojani propozuar që së pari të shqyrtohej kërkesa e Stakës ndaj Hodos dhe më pas ajo e Pjetërnikajt. Pas këtij qëndrimi Hodo kundërpërgjigji duke kërkuar përjashtimin edhe të Stojanit, duke deklaruar se dyshonte në objektivitetin e tij. Kjo krijoi një zinxhir kërkesash: Staka kërkoi përjashtimin e Hodos, Hodo kërkoi përjashtimin e Stojanit. Debati mes Hodos dhe Stojanit degradoi në replika personale, me akuza për formimin dhe shkollimin e njëri-tjetrit. Në një moment Stojani paralajmëroi se mund të kërkonte edhe përjashtimin e kryetares Mirela Bogdani, pasi pretendoi se ajo kishte qeshur në mënyrë ironike gjatë diskutimit.
Situata provokoi reagimin e anëtares Ledina Riza, e cila tha: “Më vjen zor që jam në këtë tavolinë… të arrijë niveli i diskutimeve në të tilla banalitete nuk i takon kësaj tavoline”, duke kërkuar respekt për kandidatët dhe publikun. Përplasjet vijnë ndërkohë që KLP është e vonuar me procedurën për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm: emrat e pesë kandidatëve nuk janë dërguar ende në ILDKPKI për verifikimin e pasurisë, ndërsa brenda javës së parë të dhjetorit duhet të ketë një emër të ri. Në garë janë Adnan Xholi, Arta Marku, Fatjona Memçaj, Rovena Zoto dhe Ylli Pjetërnikaj. KLP duhet të rendisë tre kandidatët më të kualifikuar dhe t’ia dërgojë Kuvendit për votim.

