Një 14-vjeçare sulmoi me thikë brenda një klase në një shkollë në zonën Blackley të Mançesterit, duke shkaktuar panik midis nxënësve dhe mësuesve. Sipas policisë lokale, e reja u arrestua menjëherë dhe po mbahet nën dyshimin për shkaktim të qëllimshëm të plagëve të rënda trupore. Autoritetet thanë se nuk ekziston kërcënim i mëtejshëm për shkollën ose komunitetin.
Në incident u plagos një mësuese 27-vjeçare, e cila mori një goditje në qafë ndërsa përpiqej t’i hiqte thikën adoleshentes. Po ashtu u plagosën dy nxënës 14-vjeçarë, një vajzë dhe një djalë; sipas policisë, plagët ishin në shpatull dhe në vesh. Dëshmitarë okularë dhe nxënës përshkruan skena kaosi brenda shkollës, ndërsa disa mësues mbyllën derën e klasës ku ndodhej sulmuesja për të parandaluar që ajo të dilte dhe të sulmonte të tjerët.
Një dëshmitar tha se mësuesja e plagosur u përpoq t’ia merrte thikën dhe u godit në qafë, ndërsa më pas vajza hodhi thikën dhe u arrestua. “Ajo u përpoq të largohej nga klasa për të sulmuar fëmijë të tjerë, por mësuesit e mbajtën derën të mbyllur. Ishte e frikshme. Mësuesja u përpoq t’ia merrte thikën, por u godit në qafë. Më pas vajza hodhi thikën dhe u arrestua. E pashë të dilte me pranga”, tha dëshmitari. Një nga nxënëset e plagosura bërtiti “Më goditën me thikë” ndërsa largohej me vrap nga klasa, sipas raportimeve.
Pas ngjarjes, shkolla u vendos në izolim ndërsa policia dhe shërbimet e emergjencës ndërhynë në vendngjarje. Hetimet vijojnë për të zbardhur motivet e sulmit dhe rrethanat e sakta të ngjarjes. Policia ka konfirmuar arrestimin e adoleshentes dhe po mbledh dëshmi dhe deklarata nga dëshmitarët dhe personeli shkollor për të ndihmuar hetimin.

