Presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kanë zhvilluar një bisedë telefonike të fortë pas zgjerimit të operacioneve ushtarake izraelite në Liban, sipas raportimeve. Gazetari izraelit Barak Ravid, që punon për median amerikane Axios, njofton se njoftimi i Iranit për pezullimin e negociatave me SHBA-në për shkak të veprimeve izraelite në Liban nxiti zemërimin e Trumpit, i cili e kritikon ashpër Netanyahun duke thënë se po e çonte Izraelin drejt izolimit dhe po dëmtonte negociatat me Republikën Islamike.
Ravid citon fjalë të ashpra të Trumpit: “Ti je krejtësisht jashtë kontrollit. Po të mos ishte për mua, do të ishe në burg. Po të shpëtoj lëkurën. Tani të gjithë të urrejnë. Të gjithë e urrejnë Izraelin për shkak të kësaj historie.” Një burim tjetër, i cituar po nga gazetari, konfirmoi se Trump ishte “i tërbuar” dhe se në një moment i bërtiti Netanyahut: “cfarë dreqin je duke bërë”? Media shpjegon se shkaku i zemërimit të presidentit ishte shqetësimi se ofensiva izraelite në Liban po rrezikonte të sabotojë negociatat midis SHBA-së dhe Iranit.
Sipas burimeve, Trump e konsideroi reagimin izraelit joproporcional, veçanërisht për shkak të numrit të lartë të viktimave civile dhe shkatërrimit të ndërtesave gjatë përpjekjeve për të eliminuar objektiva të Hezbollahut. Megjithatë, publikisht Trump përshkroi telefonatën si “shumë produktive”, duke deklaruar se nuk do të ketë operacione tokësore izraelite në Bejrut dhe se Hezbollah ka pranuar të ndalojë përplasjet e armatosura. Ai gjithashtu tha se negociatat me Iranin po vazhdojnë me ritëm të shpejtë.
Zyrtarisht, Netanyahu nuk ka ndryshuar qëndrim dhe vazhdon të kërcënojë me sulme ndaj Hezbollahut, por sipas raportimit të Axios ai ka qenë nën presion të madh gjatë gjithë bisedës me Trump.

