Një studim i ri konstaton se infeksionet e zakonshme kontribuojnë në rreth 1 në 8 raste të kancerit në mbarë botën, duke nxjerrë në pah mundësitë për parandalim përmes masave shëndetësore publike. Hulumtimi, i publikuar në The Lancet Oncology dhe i realizuar nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit, pjesë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vlerëson se infeksionet shkaktuan afërsisht 2.3 milionë diagnoza të reja të kancerit në vitin 2024.
Në krye të shkaktarëve që lidhen me këto raste janë Helicobacter pylori, një bakter i zakonshëm i stomakut, dhe virusi i papillomës njerëzore (HPV). Sipas studimit, këta dy patogjenë së bashku përbëjnë pjesën më të madhe të kancerëve që lidhen me infeksione. Përcaktohen po ashtu si shkaktarë kryesorë viruset e hepatitit B dhe C, të lidhura me kancerin e mëlçisë, dhe virusi Epstein-Barr (EBV), i cili, sipas autorëve, së fundmi është lidhur me një numër më të gjerë llojesh të kancerit sesa ishte konsideruar më parë.
Studimi thekson se një pjesë e konsiderueshme e këtyre rasteve mund të parandalohen. Vaksinat kundër HPV-së dhe hepatitit B përmenden si ndër mjetet kryesore të parandalimit, ndërsa kontrollet rutinë dhe trajtimet antivirale mund të ndihmojnë në uljen e barrës së sëmundjeve të lidhura me infeksionet. Autorët nënvizin rëndësinë e masave preventive që synojnë reduktimin e transmetimit të infeksioneve dhe zbulimin e hershëm të lezioneve që mund të evoluojnë në kancer.
Një tjetër gjetje e rëndësishme e studimit është shpërndarja jo e barabartë e këtyre rasteve sipas nivelit të të ardhurave: më shumë se tre të katërtat e kancereve të lidhura me infeksionet ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ku qasja në kujdesin shëndetësor është më e kufizuar. Studiuesit përfundimisht theksojnë se vaksinimi dhe zbulimi i hershëm mund të luajnë një rol të rëndësishëm në parandalimin e këtyre llojeve të kancerit.

