Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi sekuestrimin e një sërë pasurish në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, si pjesë e hetimeve të SPAK-ut për dosjen e AKSHI-t. Mes të pandehurve është ish-drejtoresha e këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj, si dhe disa biznesmenë. Sipas prokurorisë së posaçme, vlera e pasurive të sekuestruara shkon mbi 40 milionë euro.
SPAK njofton se hetimet, në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025, përballen me një sërë veprash penale: konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike në formën e grupit të strukturuar kriminal, korrupsion pasiv të funksionarëve publikë në bashkëpunim, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe organizatë kriminale, si dhe pastrim i produkteve të veprës penale, sipas neneve përkatëse të Kodit Penal. Me vendimin nr. 289, datë 20.04.2026, gjykata ka urdhëruar sekuestrimin e pasurive të mëposhtme.
Në ngarkim të M.K.: apartament në rrugën “Dervish Hima”, kati 8, ap. 32, Tiranë; pronë në rrugën “Kavajës” 73.5 m², Tiranë; pronë në Qerret, Kavajë; ullishte nr.125/211, Sauk, Tiranë (1,500 m²); autoveturë Volkswagen Tiguan; llogari bankare në BKT dhe disa llogari në OTP Bank.
Në ngarkim të E.A.: sipërfaqe pyjore të shumta në Qeha Shytaj, Petrelë (ndër të tjera 26,690.9 m² me ndërtese 346.2 m²; 5,288.1 m² me ndërtese 182.2 m²; 8,956 m² me ndërtese 568 m²; 9,316.1 m² me ndërtese 192.8 m²), truall Lundër, Tiranë, arë 10,300 m², prona dhe ndërtesa në Durrës (ZK 8518), disa apartamente dhe garazhe në Tiranë dhe Vlorë, automjet Land Rover Defender 2023, subjekti “E.A.S” dhe llogari bankare në OTP, Credins dhe BKT.
Në ngarkim të E.B.: truall në Green Coast, Vlorë; truall “Hoxha Tasim”, Tiranë; ndërtesa dhe truall nr.5/3 dhe nr.38/36 Rolling Hills Tiranë; apartament në Golem, Kavajë; mjet lundrues Yacht “Skyfall”; subjektet “S.S” sh.p.k. dhe “H” sh.p.k.; njësi shërbimi në rrugën “Çerçiz Topulli”; automjete, si dhe të gjitha llogaritë bankare në emër të tij dhe subjekteve.
Gjithashtu janë sekuestruar shumash të konsiderueshme monetare në subjekte të ndryshme: 123,629,664 ALL dhe 410,595,663 ALL në subjektin “F” sh.p.k., 94,423,883 ALL në “F.F” dhe 100,840,264 ALL në subjektin “A”. Prokuroria falenderon Byronë Kombëtare të Hetimit, Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe vijon hetimet për dokumentimin e plotë dhe konfiskimin përfundimtar të pasurive.















