SPAK ka bërë të ditura detaje rreth arrestimit të shtetasit Ermal Beqiraj në Francë, ndërsa ai po fluturonte me një avion të lehtë mbi një central bërthamor dhe u detyrua të ulej në aerodromin e Albert-it (departamenti Somme). Veprimet e koordinuara mes autoriteteve shqiptare dhe franceze nisën më 19 qershor 2026, kur Prokurorët e Posaçëm kontaktuan Shërbimin e Sigurisë së Brendshme (SSI) për të kërkuar ndihmë të autoriteteve franceze, pasi dispononin informacion se Beqiraj ndodhej në territorin francez. Në atë kohë ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar me “Njoftim të Kuq” të Interpolit, të kërkuar nga autoritetet gjyqësore shqiptare për qëllime arrestimi dhe ekstradimi.
SSI kontaktoi menjëherë Drejtorinë Kombëtare të Policisë Gjyqësore (DNPJ) franceze dhe vendosi bashkëpunim me Zyrën Qendrore për Luftën kundër Krimit të Organizuar (OCLCO). Hetimet fillestare dhe ato të mëtejshme të autoriteteve franceze konfirmuan prezencën e tij dhe identifikuan asete të dyshuara kriminale në Francë, duke përfshirë llogari bankare me vlerë totale mbi dy milionë euro, dy apartamente, blerjen e një kështjelle në departamentin Oise rreth 2.6 milion euro, dhe mjete motorike. Për këto asete dhe të tjera të mundshme është dërguar kërkesë për ndihmë juridike ndaj autoriteteve franceze me qëllim sekuestrimin. Njëkohësisht u angazhua Zyra Qendrore për Luftën kundër Krimit të Rëndë Financiar (OCRGDF) për hetime financiare dhe përgatitjen e masave të konfiskimit në koordinim me autoritetet franceze dhe shqiptare.
Hetimet gjyqësore lidhen me procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025, ku më 05.12.2025 u regjistrua emri i E.B. si person në hetim për një varg vepresh penale, përfshirë konkurrencë të paligjshme me dhunë, heqje të paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera, grup të strukturuar kriminal, pastrim të produkteve të veprës penale dhe korrupsion aktiv, sipas nenëve përkatëse të Kodit Penal. Me vendim nr.125 më 15.12.2025, Gjykata e Posaçme caktoi masën “arrest në burg”; më 24.12.2025 u kërkua shpallja në kërkim ndërkombëtar dhe u vendos “njoftimi i kuq” në Interpol Tirana.
Më 24 korrik 2026, pas arresteve dhe kontrolleve personale e të ambienteve në pronësi të tij nga autoritetet franceze, Gjykata franceze urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të E.B. për qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë. Hetimet gjyqësore dhe finansiare vazhdojnë nga njësitë e specializuara të Policisë Gjyqësore franceze në bashkëpunim me SPAK-un, ndërsa SPAK i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për ekstradim.

