Investigim nga Timoni.al
Dokumentat dhe provat flasin qartë. Nuk kemi më dyshime të paqarta apo akuza politike, por fakte të shkruara në letër, firma zyrtare dhe një dosje që tregon se brenda AZHBR-së është ngritur një skemë nepotizmi dhe favorizimi me fondet publike. Kur emrat, lidhjet familjare dhe firmat përputhen në të njëjtën dosje, atëherë përgjegjësia nuk mund të fshihet më pas heshtjes.
Sipas dokumentave, Ardita Kuçi ka firmosur një procedurë ku projekti është hartuar nga Ylli Ago dhe është shqyrtuar nga Ana Ago, vajza e tij, e cila mban detyrë si inspektore pranë Drejtorisë së Përzgjedhjes dhe Pranimit të Projekteve në AZHBR. Po ashtu, sipas të dhënave të publikuara, Ana Ago ka lidhje familjare me vetë Ardita Kuçin. Kjo nuk është më thjesht mungesë kujdesi administrativ, por një konflikt interesi i dukshëm dhe një shkelje që rëndon direkt mbi drejtuesen e institucionit.
Kur dokumentet flasin, propaganda bie. Kur firmat dalin në letër, justifikimet marrin fund. Dhe kur fondet e fermerëve përfundojnë në duart e njerëzve të lidhur me pushtetin, atëherë qytetarët kanë të drejtë të pyesin: a është kthyer AZHBR në një institucion ku korrupsioni nuk fshihet më, por ka dalë hapur në sipërfaqe?


Prej vitesh fermerët ankohen për padrejtësi, mungesë transparence dhe favorizime në ndarjen e subvencioneve. Tani, me dokumentet e publikuara, dyshimet nuk duken më si thashetheme kafeneje, por si një skemë e mirëorganizuar ku lidhjet familjare, firmat zyrtare dhe fondet publike kryqëzohen në të njëjtën dosje. Në qendër të kësaj çështjeje është drejtoresha e AZHBR-së, Ardita Kuçi, e cila sot përballet me pyetjen më të fortë publike: a ka lejuar një mekanizëm nepotizmi brenda institucionit që drejton?
Në çdo administratë normale, një dosje e tillë do të refuzohej menjëherë. Askush nuk mund të hartojë projektin, ta kontrollojë brenda familjes dhe më pas ta miratojë me firmën e drejtueses. Kjo është arsyeja pse publiku sot pyet me të drejtë nëse AZHBR është kthyer në një zyrë ku fondet shpërndahen me lidhje dhe jo me meritë.
Bëhet fjalë për grant në vlerën 14.415.455 lekë të reja, para që duhet të shkonin me garë të ndershme dhe transparencë. Në vend të kësaj, dokumentat tregojnë një rrjet familjar dhe institucional që ka kaluar fondin nga duart e të njëjtit rreth njerëzish.


Ardita Kuçi duhet të mbajë përgjegjësi para ligjit. Firma e saj në dosje e lidh drejtpërdrejt me vendimmarrjen. Nuk mund të pretendohet padije kur emri i hartuesit figuron në dokumente dhe procedura kalon nëpër duart e personave të lidhur.
Prandaj sot pyetja nuk është më nëse ka indicie, por çfarë do të bëjë drejtësia. A do të veprojë SPAK, a do të sekuestrohen dokumentat, a do të merren në pyetje përgjegjësit?
Shqiptarët janë lodhur duke parë sesi fondet për fermerët përfundojnë te njerëzit e lidhur me pushtetin. Nëse kjo dosje nuk goditet, atëherë mesazhi është se korrupsioni jo vetëm ekziston, por mbrohet. Ndërsa nëse hetohet dhe ndëshkohet, do të jetë prova se askush nuk është mbi ligjin.



















