Situata me zjarret në vend mbetet problematike: gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 35 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive dhe 3 janë në proces mbajtjeje nën kontroll. Në terren janë angazhuar rreth 382 forca operacionale dhe 40 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë ofruar mbështetje me 90 efektivë dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ndjek situatën në mënyrë të pandërprerë, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të sistemit të Mbrojtjes Civile.
Vatrat aktive të raportuara ndodhen në Dajt (Tiranë), Mirditë (Lufaj), Pukë (Tërbun–Gjegjan–Gojan), Malësi të Madhe (Gjorm i Sipërm) dhe Gramsh (Tunjë e Re). Në Dajt vazhdon puna për shuarjen e zjarrit me mbështetjen e 30 efektivëve të Forcave të Armatosura; nuk ka rrezik për zonat e banuara dhe vatra e Priskës raportohet e mbajtur nën kontroll. Në Lufaj, Mirditë, vatra vijon aktive me intensitet të ulët dhe forcat operacionale po vazhdojnë punën pa rrezik për zonat e banuara.
Në Pukë, situata në sipërfaqet pyjore të Tërbunit është përmirësuar, ndërsa vatrat në Gjegjan dhe Gojan vijojnë aktive. Gjatë operacionit në këtë zonë u evakuua një familje dhe, me ndërhyrjen e forcave, u shmang rreziku për banesën. Sot operacioni në Pukë mbështetet nga 40 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë. Në Gjorm i Sipërm, Malësi e Madhe, vijon puna për shuarjen e vatrës së riaktivizuar me 2 automjete zjarrfikëse dhe 6 efektivë të MZSH. Në Tunjë e Re, Gramsh, vijon puna për izolimin dhe shuarjen e zjarrit; nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Gurë-Lura raportohet i mbajtur nën kontroll pas shuarjes së zjarrit, ndërsa në Qafë Helmes puna e forcave operacionale vazhdon pa rrezik për zonat e banuara. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

