Në një përplasje ajrore të mërkurën në mbrëmje në Aeroportin Carlisle, Qarku Cumberland, një person humbi jetën dhe dy oficerë të Policisë Shtetërore të Pensilvanisë u plagosën pasi një avion i vogël u godit nga pas nga një helikopter policie. Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), në incident u përfshinë një Cessna 150 dhe një helikopter policie Bell 407. Viktima është piloti i Cessna-s, i cili besohet të jetë personi i vetëm në bordin e avionit.
Dy pilotët e helikopterit, pjesë e njësisë elitare të aviacionit të Policisë Shtetërore të Pensilvanisë, mbetën të plagosur, por autoritetet bëjnë të ditur se gjendja e tyre nuk është kërcënuese për jetën. Helikopteri, me bazë në Harrisburg, po kryente ushtrime rutinë stërvitore në aeroport dhe në momentin e përplasjes ai qëndronte pezull disa metra mbi tokë, në një zonë me bar. Për shkak të vendndodhjes dhe lëvizjes gjatë stërvitjes, helikopteri ishte i vendosur pranë një piste.
Sipas autoriteteve, Cessna 150 u afrua nga pas dhe u rreshtua me njërën prej pistave pranë zonës ku ndodhej helikopteri. Për arsye ende të paqarta, avioni ndryshoi drejtim në momentin e fundit dhe goditi helikopterin nga pas. Pilotët e helikopterit deklaruan se nuk e kishin parë avionin që po afrohej. Pas përplasjes, helikopteri u përmbys dhe u rrëzua në tokë. Piloti i Cessna-s humbi jetën në vendngjarje, ndërsa dy pilotët e helikopterit fillimisht mbetën të bllokuar brenda mjeteve, por më pas arritën të dalin.
FAA mbërriti në vendngjarje për të vlerësuar situatën, ndërsa hetuesit e Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit (NTSB) nisën hetimet gjatë natës për të përcaktuar shkaqet e përplasjes. Autoritetet po vijojnë verifikimet dhe hetimet për të sqaruar rrethanat dhe faktorët që çuan në këtë aksident ajror. Top Channel.

