Për miliona tifozë që janë rritur me mangën dhe animen legjendare “Captain Tsubasa” (e njohur në Shqipëri si “Oli dhe Benxhi”), përballja e Japonisë me Brazilin në raundin e 1/16-ave të Kupës së Botës 2026 në Houston shihet si një ëndërr e bërë realitet. Brazili ka qenë gjithnjë kundërshtari më i madh i heroin Oliver Harton (Tsubasa Ozora) në narrativën e krijuar nga Yoichi Takahashi, i cili u frymëzua nga Kupa e Botës 1978 në Argjentinë për të shkruar një histori që revolucionarizoi imazhin e futbollit japonez.
Kur manga u publikua për herë të parë në 1981, Japonia nuk ishte kualifikuar kurrë për një Botëror dhe nuk kishte një kampionat profesionist. Në krijimin e tij, Takahashi vendosi Brazilin si vendin ku protagonisti përfiton nga trajnimi me mentorin brazilian Roberto Hongo, përpara se të çojë Japoninë në finale të Kampionatit Botëror të të Rinjve. “Captain Tsubasa” nuk mbeti vetëm një produkt kulturor; ajo frymëzoi breza të tërë fëmijësh në Japoni për t’u marrë me futboll dhe kontribuoi në rritjen e popullaritetit të sportit, një proces që parapriu krijimin e J.League në vitin 1993. FIFA e njeh veprën si një nga fenomenet kulturore që ndikuan në zhvillimin e futbollit japonez.
Në nivelin real, Japonia bëri një rrugëtim të jashtëzakonshëm: u kualifikua për herë të parë në Kupën e Botës në 1998 dhe që nga ajo kohë ka qenë e pranishme në çdo edicion, ndërsa futbollistët japonezë kanë gjetur vend në klubet më të mëdha evropiane. Një kapitull i veçantë i kësaj përputhjeje mes fantazisë dhe realitetit shkruhet në tetor 2025, kur Japonia mposhti Brazilin në një ndeshje miqësore në Tokio, duke u rikthyer nga 0-2 në 3-2 — rezultat që përkon me fitoren imagjinare të Japonisë ndaj Brazilit në mangën.
Sot, në stadiumin e Houstonit, Brazili konsiderohet favorit për të kaluar më tej, por Japonia hyn në fushë me bindjen se mund ta sfidojë një nga kombëtaret më të mëdha të historisë. Nuk do të jenë aty personazhet e “Oli dhe Benxhit”, por futbollistët e vërtetë kanë mundësinë të shkruajnë kapitullin e tyre. Për fansat e mangës, kjo ndeshje përfaqëson takimin e një ëndrre katër dekada të vjetër me realitetin.

