Qeveria ka paraqitur një projektligj për krijimin e Fondit Kombëtar për Artin, me qëllim pasurimin e koleksionit të veprave të artit në pronësi të shtetit dhe ruajtjen e trashëgimisë artistike kombëtare. Projektligjin e ka hartuar Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe ai është miratuar në Këshillin e Ministrave para dërgimit në Parlament.
Sipas tekstitt, Fondi do të veprojë si një instrument financiar i posaçëm për blerjen e veprave të artit në ankandet kombëtare dhe ndërkombëtare. Përmes këtij mekanizmi, shteti synon të krijojë mundësi financiare për blerjen e veprave, artefakteve dhe koleksioneve që kanë vlera të veçanta artistike, historike dhe kulturore, duke përfshirë edhe objektet që ndodhen jashtë territorit shqiptar.
Financimi i Fondit parashikohet të sigurohet nga kursimet e institucioneve publike si rezultat i procedurave të prokurimit publik. Projektligji sqaron se Fondi do të financohet nga kursimet buxhetore të krijuara nga procedurat e prokurimit publik të institucioneve të administratës shtetërore qendrore, të konsoliduara në Buxhetin e Shtetit, dhe se në Fond do të alokohet 10% e kursimeve financiare të konstatuara në nivel kombëtar në përputhje me ligjin e buxhetit. Shuma konkrete që do t’i kalojë Fondit çdo vit do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Procesi i përzgjedhjes së veprave do të mbikëqyret nga ekspertë të fushës, me mbështetjen teknike të Galerisë Kombëtare të Arteve. Kjo strukturë profesionale do të jetë përgjegjëse për identifikimin dhe vlerësimin e veprave dhe koleksioneve që do të blihen përmes Fondit.
Projektligji tani shkon në Parlament për shqyrtim dhe, nëse miratohet, parashikohet të hyjë në fuqi dhe të zbatohet që nga janari 2027. Lajmi është raportuar nga Top Channel.

